Lajme

Dënime të ashpra ndaj aktivistëve të opozitës në Bjellorusi

12/14/2021 19:50
nga:M K

Një gjykatë bjelloruse dha të martën vendime dhe dënime të ashpra për një grup blogerësh, aktivistësh të opozitës dhe bashkëshortin e udhëheqëses në mërgim të opozitës, Sviatlana Tsikhanouskaya. Të gjashtë personat ishin ndaluar nga autoritetet përpara zgjedhjeve presidenciale të diskutueshme përmes së cilave presidenti me prirje autoritare Alexander Lukashenko mori një mandat të gjashtë në pushtet, pavarësisht se besohet gjerësisht se votimi ishte i manipuluar.

Grupet e të drejtave të njeriut i konsiderojnë të dënuarit në qytetin juglindor Homel si të burgosur politikë. Procesi gjyqësor që zgjati 173 ditë, ishte një ndër më të gjatët në historinë e Bjellorusisë.

Shtypja e lëvizjes pro-demokracisë është intensifikuar që kur shpërthyen protestat masive pas rizgjedhjes së Lukashenkos në gusht të vitit 2020. Fitorja e tij nuk njihet nga opozita dhe Perëndimi.

Video-blogeri i njohur Syarhei Tsikhanouski, i cili synonte të kandidonte kundër Lukashenkos përpara se të skualifikohej dhe të arrestohej përpara zgjedhjeve, u dënua me 18 vjet burg.

Pasi ai u skualifikua, gruaja e tij Tsikhanouskaya, që nuk kishte përvojë në politikë, mobilizoi votuesit dhe fitoi zgjedhjet, sipas opozitës dhe vendeve perëndimore.

Tsikhanouskaya po jeton në mërgim në Lituani, që kur u largua nga Bjellorusia pas zgjedhjeve për shkak të shqetësimeve për sigurinë e saj dhe të dy fëmijëve.

“Vetë ekzistenca e këtyre njerëzve përbën krim në sytë e regjimit. Ata po vuajnë dënimin sepse duan të jetojnë në një Bjellorusi të lirë,” tha zonja Tsikhanouskaya në një postim në Twitter menjëherë pasi u publikua lajmi për vendimin. /VOA