Ish-drejtuesi i Forcave Speciale dhe Komando dhe ish-ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Dritan Demiraj, në një shkrim aurorial ka theksuar se armatosja e Serbisë duhet të shërbejë si alarm për Shqipërinë dhe Kosovën.
Ai më tutje ka shkruar se “humbja e “vëllait të madh” ka bërë që shumë lider “pacifistë” të Serbisë që nga presidenti Vuçiq, Ministri i Mbrojtjes Stefanoviq, Ministri i Brendshëm Vulin dhe Daçiq të ulin tonet dhe kërcënimet sa i përket mbrojtjes së komuniteteve serbe, që në fakt asnjëherë nuk janë kërcënuar nga askush në rajon”.
Por kjo farsë, sipas tij, nuk ka ndaluar procesin e armatosjes së Serbisë, duke shtuar se këtë fundjavë gjashtë avionë kinezë të forcave ajrore transportuan mjetet e fundit moderne për mbrojtjen kundërajrore të blera në Kinë nga Serbia”.
“Që nga viti 2020 dhe në vazhdim, zyrtarët e DASH-it e kanë paralajmëruar Beogradin kundër blerjes së sistemeve anti-ajrore HQ-22, versioni i eksportit i të cilit njihet si FK-3, por edhe për blerje të tjera armatimesh ofensive. Tashmë është e qartë për të gjithë diplomatët perëndimorë se Serbia nuk dëshiron t’i bashkohet Bashkimit Evropian dhe aleancave të tjera perëndimore, por ajo thjesht shfrytëzon ndihmat e tyre financiare pasi orientimi i tyre është krejtësisht anti-euroatlantik. Si përfundim, këto zhvillime duhet te shihen me përgjegjësi nga qeveritë tona sidomos në Shqipëri dhe Kosovë, në mënyrë që të vazhdojë me tej investimi në infrastrukturën e sigurisë kombëtare dhe në rritjen e kapaciteteve operacionale të forcave tona të armatosura”, ka shkruar Demiraj, përcjellë Gazeta Blic.


