Lajme

Demhasaj për takimin e krerëve të partive me Osmanin: Mund të ketë ndikim nëse LVV ka vullnet të dal nga kjo situatë – partitë tjera janë pro zhbllokimit

05/14/2025 12:32
nga:Sh R

Analisti politik Arton Demhasaj, ka folur në lidhje me takimin e krerëve të partive politike, me presidenten Vjosa Osmani ku pritet të diskutohet për një zgjidhje për daljen nga kriza politike që po ndodh në Kuvendin e Kosovës, raporton GazetaBlic.

Demhasaj në një prononcim për GazetaBlic, thotë se ky takim mund të ketë ndikim në rast se ka vullnet nga LVV për ta zhblloku këtë situatë.

“Në rast se ka vullnet nga partia e parë e dalur nga zgjedhjet e 9 shkurtit për me zhblloku konstituimin e kuvendit mund të ketë ndikim, për arsye se partitë e tjera politike janë pro zhbllokimit”, tha ai.
Tutje ai thekson se në rast se LVV vazhdon me qëndrimet e njejta kjo situatë do të zgjasë edhe më shumë.

“Por nese VV vazhdon me qëndrimet e njejta kundër kushtetueses si votimi i fshehtë ose mos ndërrimi i kandidates që nuk po pranohet nga partitë e tjera, atëherë kemi me vazhdu me këtë bllokadë”, u shpreh ai.
Ai potencon se presidentja Osmani duhet ti drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe të kërkoj interpretim për afat të konstituimit të Kuvendit.

“Por presidentja me mandat kushtetues për sigurimin e funksionimit të institucioneve duhet ti drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe të kërkoj interpretim për afat të konstituimit të kuvendit dhe për të drejten e zgjedhjes së kryetarit ose kryetarës së kuvendit nga shumica parlamentare qe mund të krijohet apo vetëm nga partia e parë e dal nga zgjedhjet por që nuk ka shumicë të nevojshme parlamentare”, përfundoi Demhasaj për GazetaBlic.