Lajme

Demhasaj: Kodi Civil duhet të votohet – deputetët kundërshtues të VV-së mund të lihen jashtë listës në zgjedhjet e ardhshme

05/06/2024 18:26
nga:G B

Një analist politik po mendon se duhet votuar Kodi Civil.

Arton Demhasaj, thotë se ky kod avancon të drejtat e njeriut.

“E para, mendoj se është absurde se si e ka menaxhuar Vetëvendosje çështjen e Kodit Civil. Mendoj që para se të vinte te drafti i Kodit Civil, VV është dashur të sinkronizohet me deputetët e shumicës parlamentare, në mënyrë që ata të jenë të bindur se ky projektligj duhet të kalojë. Mënyra se si është kontrabanduar Kodi Civil për shkak se disa deputetë kanë qenë kundër, ka qenë e gabueshme. Mendoj se Kodi Civil duhet të votohet sepse avancohen të drejtat e njeriut në aspektin me Kod Civil se si parashihen. Andaj për faktin që ky Kod ka dështuar të votohet pasi disa kanë votuar kundër, kryeministri Kurti e ka obligim të merret me deputetët e partisë së tij, që t’i bindë ata që Kodi Civil duhet votuar dhe duhet ecur tutje, për shkak se edhe tani Këshilli i Evropës ku ne pretendojmë të bëhemi pjesë, ka paraparë që të drejtat e njeriut që tani i ka përcaktuar Kodi Civil janë të drejta fondamentale që duhet t’i gëzojë secili qytetar i Republikës së Kosovës”, thekson ai.

Demhasaj thekson se edhe në të kaluarën ka pasur kërcënime jo publike për deputetët e VV-së që janë kundër këtij projektligji dhe sipas tij ata mund të lihen jashtë listave për zgjedhjet e ardhshme.

“Edhe në të kaluarën ka pasur në mënyrë jo publike kërcënime apo shantazhe të tilla brenda GP të VV-së, që në rast se ju nuk e votoni këtë, në zgjedhjet e reja nuk do të jeni pjesë e listave. Kështu që, në rast se Kodi Civil hyn në Kuvend të Kosovës dhe këta deputetë të VV-së nuk e votojnë atë, edhe përkundër thirrjeve publike të kryeministrit Kurti, me shumë gjasë kurdo që mbahen zgjedhjet e ardhshme, ata individë nuk do të jenë pjesë e listës së VV-së, do të konsiderohet një lloj hakmarrje ndaj tyre pikërisht për shkak të mos dëgjueshmërisë ndaj kërkesave të liderit të partisë”, deklaron Arton Demhasaj.

A mund të çojë vendin në zgjedhje Albin Kurti- duke marrë shkas nga Kodi Civil?

Nuk beson të paktën analisti politik, Arton Demhasaj.

“Mund të ndodhë kjo, edhe pse kjo nuk është arsye për shkak se ti e ke një shumicë parlamentare të konsoliduar ku ke vota të mjaftueshme për të kaluar një çështje siç është Kodi Civil, kështu që nuk është arsye që nëse e sjell Kodin Civil në Kuvend dhe disa deputetë të partisë nuk ta votojnë atë, nuk është arsye për ta dërguar vendin në zgjedhje, por mund të jetë një tentativë e kryeministrit që të mos e fillojë procedurën e themelimit e Asociacionit në fund të mandatit të tij, mund ta përdorë tentativën e Kodit Civil, ta fusë atë në Kuvend dhe dështimi i tij të shihet si dështim i shumicës e që pastaj të kërkojë të shpërndahet kuvendi dhe të shkohet në zgjedhje të parakohshme dhe kjo mund të jetë një arsye që mund të përdoret për t’i ikur presionit ndërkombëtar për asociacionit, por mendoj se kjo është e gabuar sepse Kodi Civil është një dokument shumë i rëndësishëm për Kosovën dhe nuk duhet të luhet me të që ta fusin në votim e që përmes tij ta dërgojnë vendin në zgjedhje. Unë mendoj që kryeministri Kurti dhe shefja e GP të VV-së në rast se nuk i kanë votat brenda partisë së tyre, duhet të kërkojnë vota te partitë tjera opozitare që Kodi Civil kur të hyjë në votim të mos dështojë por thjesht të kalojë”, përfundon Demhasaj./Gazeta Blic/

 

Duda Balje: Nuk ndryshoj qëndrim për Kodin Civil, është gabim që po e ngjyrosin me LGBTQ+