Kandidati për deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Arton Demhasaj, ka thënë se ajo çfarë ka mbetur nga trashëgimia aktive politike e ish-drejtuesve të UÇK-së, sot graviton te Ramushi dhe aleatët e tij.
Kështu ka thënë Demhasaj duke komentuar sjelljen e kryeministrit Kurti gjatë tubimeve me qytetarë.
“Albin Kurti është fiksuar pas Ramush Haradinajt dhe e ka targetuar atë, duke shndërruar një fushatë zgjedhore të zakonshme në një ambient me një gjuhë parapolitike që nuk ka as filtra, as standarde. A mund ta hamendësoni pse? Ndërkohë që disa pjesëtarë kryesorë të çlirimit dhe pavarësisë janë duke u përballur në Hagë me një proces gjyqësor të padrejtë, Ramushi është në Kosovë. Çfarë ka mbetur nga trashëgimia aktive politike e ish-drejtuesve të UÇK-së, sot graviton te Ramushi dhe aleatët e tij”, ka thënë Demhasaj.
Demhasaj ka shtuar se atë që po bën Haga formalisht, Albin Kurti po përpiqet ta realizojë politikisht.
“Atë që po bën Haga formalisht, Albin Kurti po përpiqet ta realizojë politikisht, duke targetuar një çlirimtar dhe duke u munduar t’i japë edhe një goditje atyre që lirinë e Kosovës e kanë paguar shtrenjtë, dhe për të cilën Kosovë nuk lëkundën dhe nuk nënshtrohen. Pikërisht Ramushi dhe profili i tij janë pengesë për projektet që Albin Kurti t’i shtrojë kthetrat mbi tërë Kosovën. Nuk do t’ia arrijë. Diktati i tij shtrihet vetëm aty ku i shitet, deri më 9 shkurt”, është shprehur Demhasaj.