Lajme

Dëme në vlera marramendëse, Skenderaj e Mitrovica në pritje të Qeverisë: S’ka hapa konkret prej tyre, ka veç zotime

01/24/2023 19:03
nga:G C

Komuna e Skenderajt dhe Mitrovica janë në pritje të Qeverisë që të marrin hapa konkret, pas vërshimeve të fundit nga reshjet e shiut.

Në një prononcim për GazetaBlic, kryetari i Skenderajt, Fadil Nura thotë se deri më tani dëmet e shkaktuara nga fatkeqësia natyrore kanë shkuar në 15 milionë euro.

“Dëmet pleniminare të cilat i kemi nxjerr nga komisionet që i kanë evidentuar, përfshirë këtu edhe bujqësinë shkojnë deri në 15 milionë euro”, tha Nura.

Ndërsa dje, Nura ka bërë të ditur se është zyrtarizuar Fondi Emergjent për vërshimet.

Nura i tha GazetësBlic se ky fond përfshinë ndihmë të madhe për ekonominë familjare.

“Në fondin emergjent parashihet ndihma për ekonominë familjare, siç është shtëpitë e banimit, renovimet e tyre dhe kompensimi i ambienteve të banimit, për aq sa kemi mundësi”, tha ai.

Nura shtoi se Qeveria Kurti ende s’ka marrë asnjë hap konkret për këtë komunë.

“Qeveria Kurti nuk ka marrë asnjë hap konkret për këto dëme në komunën e Skenderajt, vetëm zotime kemi marrë, jemi në pritje të tyre”, tha Nura.

Në anën tjetër, nënkryetari i komunës së Mitrovicës Arian Tahiri thotë se dëmet në këtë komunë, arrijnë vlerën deri në 80 milionë euro.

Tahiri thotë se janë në pritje të Qeverisë, pasi siç shprehet ai ende nuk ka asgjë zyrtare se çfarë ndihme do të kenë nga shteti.

“Në bazë të komisioneve profesionale, vlera e dëmeve në Mitrovicë ka shkuar mbi 80 milionë euro. Qeveria nuk ka marrë asnjë hap konkret, ne po presim nga ta që ta ndihmojnë neve dhe gjithë komunat që janë prekur nga kjo fatkeqësi natyrore”, tha Tahiri për GazetaBlic.