Lajme

Deliu: Sot qytetarët janë më të varfër, premtimet e qeverisë janë qesharake

10/30/2021 14:16
nga:M K

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të qeveritarëve për rritje ekonomike në Kosovë.

Deliu në një postim në Facebook ka thënë se suksesi i një qeverie matet me përmirësimin e kualitetit të jetës.

Sipas saj, qytetarët e Kosovës sot janë më të varfër, teksa premtimet e qeveritarëve sipas saj po tingëllojnë secilën herë e më qesharake.

“Kjo Qeveri, jo vetëm ka dështuar të menaxhojë çdo situatë të krijuar, por ka shkaktuar të tjera tensionuese si formë shantazhi për sigurinë e përgjithshme publike. Por, nuk mund të pritet ndryshe nga një Qeveri që fajëson qytetarët për varfërimin e mirëqenies së tyre, siç është rasti më i freskët me ngritjen e çmimeve të produkteve elementare”, ka shkruar Deliu.

Postimi i plotë i Deliut në Facebook:

Suksesi i një qeverie matet me përmirësimin e kualitetit të jetës. Standardi i krijuar jetësor mbetet gjykuesi i vetëm i punës së një qeverie. Kur mirëqenia qytetare pëson përkeqësim, të gjtha argumentimet tjera mbesin ‘llafe, llafe…’.

Sot qytetarët janë më të varfër, ndërsa premtimet profetike të qeveritarëve po tingëllojnë secilën herë më qesharake. Kjo Qeveri, jo vetëm ka dështuar të menaxhojë çdo situatë të krijuar, por ka shkaktuar të tjera tensionuese si formë shantazhi për sigurinë e përgjithshme publike. Por, nuk mund të pritet ndryshe nga një Qeveri që fajëson qytetarët për varfërimin e mirëqenies së tyre, siç është rasti më i freskët me ngritjen e çmimeve të produkteve elementare.

Si thotë një autor turk: Qeveritë e kqija gjithmonë gënjejnë, sepse të tregosh të vërtetën kërkon nderë dhe guxim!.