Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu ka kritiuar presidenten Vjosa Osmani, se është shndërruar në notere të Albin Kurtit, raporton Gazeta Blic.
“Mungesa e guximit për të treguar lidership, për fatin e keq, e ka shndërruar Presidencën në një zyrë noterie të Qeverisë”, ka shkruar ajo.
Deliu ka theksuar se për një vjet në krye të Presidencës, Osmani ka qenë përçarëse.
Postimi i plotë:
Një vit më parë në Kuvend pas një procesi të pazareve politike dhe shitblerjes së votës së deputetëve u zgjodh presidente, znj. Vjosa Osmani. Nje presidente e dalur nga lista zgjedhore e Vetëvendosjes, e cila I dha deyrë vetës të vazhdojë me politikat përçarëse nga pozita që kërkon unifikim!
Mandatin e filloi me shkarkimin politik, arbitrar e kundërligjshëm të kryetarës së KQZ-së, vendim i cili u kritikua nga përfaqësues ndërkombëtar e pjesëtarë të shoqërisë civile.
Heshti përballë sulmeve të ashpra të Qeverisë ndaj mediave dhe nuk gjeti guximin më të vogël të mbrojë lirinë e shprehjes si një e drejtë themelore kushtetuese. Madje hapi fronte personale ndaj tyre kur mediat nuk duronin gjuhën kërcënuese të bashkëshortit të saj.
Ajo nuk gjeti as kurajon njerëzore të vihet në shërbim të qytetarëve kur ata po vuanin nga pandemia dhe moskujdesi qeveritar ndaj tyre. As kur mirëqenia e tyre vazhdon të dhunohet nga paaftësia dhe arrogance qeveritare. Heshti përballë rritjes enorme të rrymës, produkteve bazë të ushqimit dhe gjithçkaje të nevojshme për një jetë të dinjitetshme.
Në vend të shqetësimit, presidentja tallet me të rinjtë që në mungesë të perspektivës kërkojnë të largohen nga vendi. I cilëson si numra kalkulatori pa më të voglën ndjeshmëri njerëzore.
Vazhdon të qëndrojë në ballë të një politike të jashtme degraduese e turpëruese për Kosovën. Përpos llafeve për konsum të brendshëm e përfitimeve elektorale, presidentja nuk ndërmerr asnjë iniciativë për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, duke filluar nga anëtarësimet në organizata ndërkombëtare e lobimet për njohje. Përkundrazi, “vartësja” e saj thotë s’e lut kërkon për njohje!
Ky vit i mandatit të saj është thjesht, një vit i humbur i shumë mundësive për t’i kontribuar qytetarëve e vendit të saj, siç është e thirrur. Mungesa e guximit për të treguar lidership, për fatin e keq, e ka shndërruar Presidencën në një zyrë noterie të Qeverisë.


