Lajme

Deliu-Kodra, pushtetit: Marre – mbylleni këtë debat, siç i tha edhe ministrja gazetarit

11/21/2024 13:16
nga:G C

Blerta Deliu Kodra, deputet e PDK-së, pati kritika për pushtetin, në seancën ku po diskutohet për Buxhetin 2025.

Në fjalën e saj, kritikë pati për Fahrije Hotin, e cila nuk arriti të marrë grant nga Ministria e Bujqësisë, teksa përmendi grantin që mori vëllai i deputetes së LVV-së, Fitore Pacolli.

“Kryetarja e Komisionit për Bujqësi i ndan 100 mijë euro për vëllain e vet, dhe 100 mijë euro tjera për dajën e vet. E deputetët sot këtu nuk e qesin asnjë fjalë të vetme”.

Ky buxhet, tha deputetja e PDK-së, ka për qëllim vetëm familjarët t’i ndihmojë.

“A e dini se në çfarë gjendje janë sot gratë e Krushës, për të cilat na keni fol gjatë, të nderuar deputetë. Të gjithë jemi entuziazmu prej fjalimeve e forcës së Fahrijes. Jemi entuziazmu kur ajo ka marrë pjesë në konferenca të rëndësishme e është mbështetë me fonde për të dëshmuar se ky shtet duhet të ekzistojë. Sot e keni harruar Fahrijen”.

“Po thoni luftë hibride? A nuk ju vjen pak marre prej atyre njerëzve që para katër viteve ua keni marrë votën duke i mashtruar. Një deputet i vetëm nuk ka guxim të dalë e të thotë, ‘Jo Fitore, nuk bën që një buxhet që i dëmton interesat e qytetarëve të Kosovës të votohet në ktëë kuvend’. Ju veç për zhvillim sot nuk jeni të interesuar. Prandaj, mbylleni këtë debat, mbylleni siç tha edhe ministrja (e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdani, në një intervistë në RTK.), sepse tha se është sekret shtetëror. I tha gazetarit, mbylle debatin se është sekret shtetëror. Mbylleni edhe ju, më mirë, e mos u turpëroni më shumë”, tha Kodra-Deliu.

E kreu i Kuvendit, Glauk Konjufca, “ia plotësoi dëshirën”, duke e mbyllur debatin pasi tha se nuk ka deputetë tjerë të paraqitur.