Lajme

Deliu e irrituar me kërkesën që Kurti ia bëri Lajçakut: Nuk po e merr askush seriozisht!

05/11/2023 12:34
nga:Genita C

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu ka komentuar deklaratën e kryeministrit Kurti ku sot pas takimit me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, kërkoi që Serbia ta zbatojë të gjithë marrëveshjen, raporton GazetaBlic.

Deliu përmes një shkrimi në “Facebook” thotë se, Kryeministri Kurti e ka fjalën për Marrëveshjen e Ohrit që me Nenin 7 të saj, për Vetëmenaxhimin e komunitetit serb, që sipas saj e tejkalon edhe Zajednicën.

“I ndërtuar mbi gënjeshtra, shpifje e akuza, sot Kurtin nuk e merr askush seriozisht, sepse e kanë parë që ai nuk mbanë asnjë qëndrim, vetëm për të qëndruar në pushtet”, shkroi Deliu tutje.

Shkrimi i plotë:

Një dekadë shpifje e akuza për tradhti kombëtare, e mbi të gjitha 10 vite të humbura për Republikën e Kosovës, që sot Albin Kurti t’i kërkojë ndërmjetësit të BE-së, Lajçak, që Serbia ta zbatojë të gjithë Marrëveshjen.

Kryeministri Kurti e ka fjalën për Marrëveshjen e Ohrit që me Nenin 7 të saj, për Vetëmenaxhimin e komunitetit serb, e tejkalon edhe Zajednicën, kundërshtimi i së cilës, bashkë me shumë kauza tjera të rrejshme, e sollën në pushtet.

I ndërtuar mbi gënjeshtra, shpifje e akuza, sot Kurtin nuk e merr askush seriozisht, sepse e kanë parë që ai nuk mbanë asnjë qëndrim, vetëm për të qëndruar në pushtet.