Sporti

Delegati e analisti Arben Zeqiri shpallet fajtor, gjobitet me 300 euro nga FFK-ja

04/18/2023 16:43
nga:Lorik J

Arben Zeqiri është shpallur fajtor për tentim për të ndikuar në rezultat të një ndeshjeje dhe është gjobitur nga Komisioni Disiplinor i Federatës së Futbollit të Kosovës.

Zeqiri, që është edhe analist i futbollit në studiot televizive, kryen detyrën e delegatit në Superligën e kadetëve. Ai është ish futbollist, ndërsa është dënuar lidhur me këkesat që ia kishte bërë gjyqtarëve për ta ndihmuar skuadrën e Dritës. Zeqiri si futbollist ishte pjesë e Dritës.

“Delegati Arben Zeqiri në ndeshjen e xhiros së 21-të të Superligës së kadetëve Drita – Ulpiana, sipas gjyqtarit të ndeshjes, ka kërkuar nga treshja e gjyqtarëve që të ndihmohet skuadra e Dritës, pasi i duhen pikët dhe gjatë tërë takimit dhe në meslojë ka bërë presion ndaj gjyqtarëve së bashku me trajnerin vendas. Pas përfundimit të ndeshjes delegati ju ka drejtuar gjyqtarit kryesor me fjalët ‘bërllog e bane, a të thash të kesh kujdes se Dritës i nevojiten pikët’”, shkruan në vendim.

Zeqiri është gjobitur me 300 euro.

Nuk është hera e parë që punëtorë të futbollit, që e kryejnë edhe detyrën e analistit, gjobiten për veprime që bien ndesh me rregulloret.