Raporti i oficerit të policisë gjyqësore për ngjarjen e rëndë të ndodhur të hënën e 18 nëntor pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë ka nxjerrë në pah disa fakte te reja.
Në vendin e ngjarjes mësohet të kenë qenë pesë adoleshentë 14-vjeçarë. Dokumentet e siguruara dhe publikuara nga “Review” në Euronews Albania, mësojnë se sipas raportit, Marsel Sina, Luis Meçe dhe Martin Cani kanë qenë të përfshirë në një përplasje me Mario Lleshin dhe Klodion Bekajn. Ngjarja u kthye në tragjedi pasi 14-vjeçari Martin Cani humbi jetën nga një goditje me thikë në zemër, për të cilën Mario Lleshi akuzohet si autor.
Luis Meçe shoku i ngushtë i Martinit, i cili mbeti i plagosur ka thënë se është goditur nga dy persona, duke shtuar se plagët janë shkaktuar nga dy thika të ndryshme. Ai ka kërkuar që ekspertiza mjeko-ligjore të konfirmojë pretendimet e tij. Autori i dyshuar Mario Lleshi, i cili gjithashtu u plagos gjatë përleshjes, po trajtohet në një spital privat, ndërkohë që ndaj tij është dhënë masa e arrestit me burg.
Ka qenë edhe babai i Luisit i cili ka përmendur emrat e përfshirë, duke theksuar miqësinë e ngushtë mes të birit dhe viktimës, Martin Cani. Ndërkohë, roli i dy të rinjve të tjerë, Klodion Bekaj dhe Marsel Sina, mbetet ende i paqartë, pasi nuk janë dhënë detaje mbi përfshirjen e tyre direkte në ngjarje./Albeu