Lajme

Del inçizimi: Vazhdon punësimi pa diploma në Ferizaj

12/19/2021 18:27
nga:Gazeta Blic

Telashet e Liron e Lirona Krasniqit, dy aplikantëve që kanë nevojë të punësohen në sistemin arsimor të Ferizajt nuk kanë të ndalur. Kjo sepse, që të dy, motër e vëlla nga fshati Kosinë, po diskriminohen vazhdimisht nëpër konkurse nga ana e zyrtarëve të Komunës së Ferizajt.

Gjatë shtatorit të kaluar, këta ankues kishin hapur rast edhe në inspektoratin e punës, me ç’rast drejtoria e këtushme e arsimit u gjobit në shumë prej 3800 EUR, për shkelje ligjore gjatë punësimit në sistemin publik.

Lirona, studente e diplomuar nga Kosina, kishte apikuar për punë si mësuese klasore në disa shkolla, mirëpo në vend të saj, drejtoria e arsimit të Ferizajt (DAK) kishte punësuar një person të pakualifikuar:

“Që 5 vite punon pa diplomë, ndërsa që nga viti shkollor 2020 – 2021 – 2022 punon në shkollën “Bilall Shala”, pa asnjë dokument zyrtar, dmth. as letërnjoftim nuk ka pasë në shkollë. Pasi që e kemi zbulu këtë rast që ka ardhë pa diplomë, edhe ka ardhë pa konkurs, vetëm e kanë pru prej fshatit Varosh, unë kam bërë ankesë pranë inspektoriatit të Punës ku inspektorati ka vendos që të hapet konkursi, pasi është mbyllur konkursi unë kam bë kërkesë për qasje në dokumente publike ku kjo kërkesë fillimisht më është refuzu mirëpo pas refuzimit kam paraqitur ankesën tek Agjensioni për Informim dhe Privatësi, ku ata brenda 7 dite më kanë kthyer përgjigje që më lejohet qasja në dokumente publike. Pas shpalljes së rezultateve, prapë del që në këtë konkurs është pranuar i njëjti person, e cila ka punuar qe 5 vite pa diplomë“.

Për të siguruar dëshmi autentike lidhur me pretendimet për diskriminim nga komuna e Ferizajt, Liron Krasniqi kishte incizuar disa biseda me zyrtarë të lartë komunal të Ferizajt, përfshirë këtu edhe Afrim Llabjanin, drejtorin e Arsimit në Ferizaj. Ne incizim dëgjohet zëri i Llabjanit, i cili e pohon se Drejtoria Komunale e Arsimit ka punësuar dhe ka lënë në marrëdhënie pune një mësimdhënëse të pakualifikuar.

AFRIM LLABJANI, DKA (Audio): “Megjithatë unë nuk shoh se ka me pasë ndonjë zgjidhje të shpejtë, sepse është pa diplomë. Ajo thotë se kam diplomu e sene, po ajo është pa procedurë. Diploma vjen në shkollë e duhet me u nostrifiku e kogja do… Ajo ish në Tetovë unë nuk e kam ditë, dorën në zemër, nuk e kam ditë që është e pa diplomuar, unë ia kam thënë edhe atëherë. Unë e kam marrë prej Varoshit e kam pru aty kur u çel paralelja. Këtu i humbi paralelja, ajo (x-personi) kaloj në Neredime, unë e pruna aty se mos me ja humb vendin e punës. Që është pa diplomë, e kam marrë vesh vetëm kur jeni anku ju.”

PERSONI NË ZYRE (Audio): “Kur sot pe dijmë që është e pa diplomume, qysh pe vazhdoni apet që ajo me punu?”

AFRIM LLABJANI, DKA (Audio): “Nëse duhet me ndërru, atëhere duhet me pru dikënd tjetër, po na e lëmë aty përderisa ajo e ka një të drejtë të ankesës, a po kupton? Ajo vazhdon, por me një moment të caktuar përderisa inspektorati i bjen vendimin që i ndërpritet marrëdhënia e punës, se neve inspektorati në vendim naj dërgon tani. Me bazën e vendimit të inspektoratit, një vendim ia dërgon palës, një e bjen tek ne dhe një e ndal për vete edhe neve na detyron, në bazë afatit me shpallë konkursin.”

AFRIM LLABJANI, DKA (Audio): “Ndëgjo, kjo nuk ka me ba vendin aty. Unë po ju tregoj shkurt, sepse ajo nuk ka me u bë gati për me diplomu aty. Unë edhe nuk jam i interesuar me shkaktu telashe më, megjithatë asaj i takon e drejta e ankesës. Unë e di që i refuzohet se ajo është e pakualifikuar, por për me fillu procesi mësimor më mirë duhet me fillu (x-personi pa diplomë), për me vazhdu a një javë a dhjetë ditë, a dy javë. Unë i kam tregu se ajo më ka çu njerëz, ajo vetë nuk ka qenë, dorën në zemër, unë nuk e njoh me ardh ketu nuk e njoh. Unë i kam thënë ajo është e pakualifikume, mundet me e fillu procesin mësimor, mirëpo a e mbanë një javë ditarin, a e mbanë dy javë, a e mbanë një muaj nuk e di. Por në momentin që i vjen puna me u shpallë, asaj i shpallet vendi i punës ajo më pas edhe realisht ajo e ka humb të drejtën për me e ruajtë vendin e punës.”

Lirona, e cila ka diplomuar gjatë verës së sivjetme, shprehet shumë e shqetësuar me të kuptuar se nepotizimi ështe çelësi i punësimit në sektorin publik të Ferizajt,

“Është ndjenjë shumë e keqe kur shumë persona punojnë pa diploma dhe nuk vlerësohet diploma jote edhe pse e përfundon me nota të larta, në kohë rekord atëherë si mund të ndihet njeri.”

Në anën tjetër, Liron Krasniqi, student i nivelit master në filozofi, thotë se zyrtarët komunal të Ferizajt janë aq diskriminues ndaj familjes së tij, saqë këtë e thonë edhe hapur në Komunë.

“Pasi hapet konkursi, prapë po përgatitet i njëjti skenar si ndaj motrës ku Selvete Bajraktari-Bytyqi thotë që nuk kena ma pa Liron Krasniqi nëpër komunë. Ky grup i njerëzve në krye me Agim Aliun, Afrim Llabjanin, Selvete Bajraktari-Bytyqi, Evlid Ibishi, Bajram Rexhepi – Drejtor i Gjimnazit “Kuvendi i Arbërit” ky grup i njerëzve që e bëjnë këtë mbrojte ndaj tij prapë e përgatisin të njejtën gjë. I informuar është edhe Kryetari Agim Aliu, po prapë nuk i intereson e kam edhe në incizim ku thotë “ti zotni merru veç me letra” unë jam marrë me letra, jam marrë me krejt, dhe prapë i kanë përsëritë të njëjtat gjëra, si ndaj meje edhe ndaj motrës”

Lidhur me pretendimet e Liron dhe Lirona Krasniqit, në emër të DKA-së është përgjigjur shkurt zyrtari Evlid Ibishi:

“Znj. A.S. është punësuar pas përfundimit të procedurave të konkursit me numër të protokolit 1246, të datës 20.09.2021, , e cila i ka plotësuar kushtet ligjore të punësimit, çështja e gjobës është në procedurë të ankesave, përgjigjen për pyetjen nr 5. e keni në fillim, ndërsa në lidhje me pyetjen nr 6 për orët në Gjimnaz, është shpallur konkursi me datë 12.10.2021, me numër të protokolit 1304.”

Liron dhe Lirona Krasniqi, përveç ankesës në Inspektorat të Punës, kanë hapur rast edhe në hetuesinë e Ferizajt.