Kandidati për deputet nga radhët e LDK, Ekrem Hyseni ka falenderuar qytetarët që ia besuan votën në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Hyseni thotë se me besimin e qytetarëve dega e LDK në Podujevë doli dega më e votuar e LDK-së, në nivel të Republikës së Kosovës, ku shton se kjo degë do të ketë dy deputetë në Kuvendin e Republikës.
“Ju premtoj dhe siguroj secilin se, unë do të punoj me përgjegjësi e do të jap llogari para secilit prej jush. Do të jem zëri dhe vullneti juaj”, ka shkruar ai.
Postimi i plotë:
Faleminderit Llap e Gollak, faleminderit Kosovë!
Secilit prej Jush u jam mirënjohës e falënderues për secilën votë, e mbi të gjitha u jam falënderues për besimin e madh!
Me besimin tuaj, ju më bëtë ndër kandidatët më të votuar të LDK-së, me mbi 20.000 vota dhe kandidatin me përkrahjen më të fuqishme në Llap me votat e afër 10.000 qytetarëve.
Me besimin tuaj, Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Podujevë doli Dega më e votuar e LDK-së në nivel të Republikës së Kosovës. Falënderoj kryetarët e nëndegëve, anëtarët e partisë dhe të gjithë që më dhanë mbështetjen bashkë me kandidatët nga Dega jonë. Dega jonë, si rezultat, do të ketë dy deputetë në Kuvendin e Republikës.
Ju premtoj dhe siguroj secilin se, unë do të punoj me përgjegjësi e do të jap llogari para secilit prej jush. Do të jem zëri dhe vullneti juaj.
Na priftë e mbara ✌️


