Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një konferencë për medie kanë dhënë detaje nga takimi i tyre.
Kurti u shpreh se në këtë vit ku ata kanë qeverisur vendin, kanë luftuar krimin dhe korrupsionin dhe thotë se kanë hapur gjykatën komerciale, raporton GazetaBlic.
“Kemi ofruar mundësinë që të strehojmë deri në 5 mijë refugjatë dhe kemi hequr vizat për ukrainasit. Kancelarin e njoftova për progresin e Kosovës dhe rezultatet që kemi arritur në një vit qeverisje. Në Kosovë demokracia funksionon. Mediat janë të lira, opozita i fiton zgjedhjet. Në këtë vit qeverisje kemi bërë përpjekje të mëdha për të fuqizuar luftimin e krimit dhe korrupsionit. Po ashtu kemi filluar reformat në drejtësi dhe kemi hapur gjykatën komerciale. Biseduam për marrëdhëniet e shkëlqyeshme mes Kosovës dhe Gjermaninë”, u shpreh Kurti.
Kurti tregon se çfarë kërkoi nga kancelari gjerman, duke përfshirë këtu edhe liberalizimin e vizave.
“Siç e tha Scholz, rreth 400 mijë kosovarë jetojnë në Gjermani. Ata janë urë mes dy vendeve tona. Shumë nga ta kanë shprehur interesimin për të investuar në Kosovë. Prandaj, e ftoj kancelarin për vizitë në Kosovë bashkë me sipërmarrësit. Kosova duhet të njihet edhe nga pesë vendet e Bashkimit Evropian. Nga Kancelari Scholz kërkova që Gjermania ta shtyjë përpara liberalizimin e vizave. Tash është koha të thuhet mjaftë është mjaftë”, theksoi Kurti.
Pa dyshim, pjesë e disktumit ishte edhe dialogu, ku sipas Kurtit duhet të ketë përqëndrim të madh në njohjen reciproke.
“E njoftova kancelarin që Kosova është konstruktive në Dialog. Duhet të përqendrohet në njohje reciproke. Njohja reciproke duhet të jetë në qendër e jo në fund”, tha Kurti.
/GazetaBlic/


