Përmbaruesi privat Eset Murati, është deklaruar i pafajshëm për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Një deklarim të tillë, i akuzuari Murati e bëri në seancën fillestare të hënën, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Merita Lumezi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Nuk e pranoj fajin”, deklaroi Murati.
Në seancën e kaluar pasi që i akuzuari ka deklaruar se nuk është pajisur me shkresa të lëndës, është konsideruar që nuk mund të procedohet tutje me seancën fillestare.
Ndërsa, në seancën e sotme avokati i autorizuar i të akuzuarit Murati, Sahit Bibaj deklaroi se ka qenë në prokurori dhe ka marrë një CD ku janë shumica e materialeve përveç ekspertiza e ekspertit financiar, për të cilin është vetëm kopja e vendimit se është caktuar i njëjti , mirëpo nuk e kanë ende atë kopje.
Gjykatësja Alltëne Murseli e njoftoi të akuzuarin lidhur me mundësinë për të paraqitur kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave brenda afatit të caktuar ligjor.
Avokati deklaroi se për seancën e radhës do dorëzojnë kundërshtimet me shkrim.
Ndryshe sipas aktakuzës së ngritur më 16 dhjetor 2021 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 29 janar 2018, i akuzuari Eset Murati, në zyrën e tij në rrugën “Dëshmorët e Kombit”, në Prishtinë në cilësinë e personit zyrtar- përmbarues privat, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, me qëllim të përfitimit për vete, ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare.
Sipas aktit akuzues, i njëjti në procedurën përmbarimore në lëndën e kreditorit Arafat Krasniqi ndaj debitorit Rexhep Ostergllava- pronar i biznesit “Sheki Comerc” sh.p.k, gjatë ndërmjetësimit si përmbarues privat, në prezencën e tij, kreditori Krasniqi ka lidhur marrëveshje për pagesën e borxhit me të 29 janarit 2018, për pagesë të borxhit të mbetur prej 5 mijë e 71 euro e 56 centë, sipas urdhrit për përmbarim me debitorin Ostergllava.
Tutje, thuhet se nga debitori Rexhep Ostergllava është paguar shuma e parave prej 2 mijë e 600 euro, në llogarinë bankare të përmbaruesit privat Eset Murati, i cili në emër të shpenzimeve i ndan për vete shumën prej 647 euro e 23 centë, ndërsa shumën prej 1 mijë e 950 euro e ka transferuar në llogarinë bankare të kreditorit Arafat Krasniqi, duke vepruar kështu në kundërshtim me ligjin mbi procedurën përmbarimore dhe udhëzimin administrativ 06/2014 për tarifat për shpërblimet, kompensimet për përmbarues privat, e me qëllim të përfitimit për vete, i pandehuri Eset Murati ka bërë tejkalim në përllogaritjen e shpenzimeve për kreditorin Krasniqi në shumë prej 208 euro e 93 centë.
Sipas aktakuzës, të njëjtën shumë, i pandehuri Murati e ka marrë për vete, të cilat para janë të paguara prej kreditorit dhe me një veprim të tillë i ka shkaktuar dëm të dëmtuarit Krasniqi në vlerë prej 208 euro e 93 centë.
Me këtë, Murati po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, par.1 i Kodit Penal.


