Lajme

Deklarohet i pafajshëm i akuzuari për vrasjen e viktimës me 4 plumba pas një konflikti fizik

05/10/2022 18:39
nga:G B

I akuzuari Besnik Rexhepi është deklaruar i pafajshëm për akuzën se me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin Arbnor Rama, duke e goditur me 4 plumba pas një konflikti fizik. Fajësinë nuk e ka pranuar as për armëmbajtje pa leje.

Deklarimin rreth fajësisë, i akuzuari Rexhepi e bëri të martën në Gjykatën Themelore në Gjilan, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Bahtie Ademi, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Mbrojtësi i të akuzuarit Besnik Rexhepi, avokati Shemsedin Pira në tërësi e ka mbështetur fjalën e të mbrojturit të tij.

Ndërsa, mbrojtësit e të dëmtuarve Isah Rama dhe Burhan Bilalli, avokatët Abit Asllani dhe Arbnora Shefkiu, kanë deklaruar se qëndrojnë prapa ndjekjes penale të prokurorisë, si dhe paraqesin kërkesën pasurore juridike.

Seanca vazhdoi me fjalën hyrëse të prokurores Ademi, e cila ka deklaruar që aktakuza është e bazuar mirë në të gjitha provat materiale, deklaratat e të dëmtuarve si dhe deklaratat e dëshmitarëve.

E njëjta ka shtuar se pas administrimit të provave dhe dëgjimit të dëshmitarëve, do të vërtetohet se i akuzuari Besnik Rexhepi i ka kryer veprat penale të cilat i vihen në barrë.

Përfaqësuesit e të dëmtuarve Rama dhe Bilalli, avokatët Asllani dhe Shefkiu e kanë përkrahur në tërësi fjalën e prokurores, kurse këtë deklarim e kanë mbështetur edhe të dëmtuarit.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Besnik Rexhepi, avokati Pira në fjalën hyrëse të tij ka deklaruar që është fakt i pakontestueshëm se në ditën kritike ka ndodhur incidenti, i cili përshkruhet në aktakuzë, mirëpo cilësimi juridik i tillë dhe dinamika e ngjarjes nuk është zhvilluar ashtu siç është paraqitur.

I njëjti shtoi se gjatë shqyrtimit gjyqësor do të vërtetohet gjendja faktike në këtë çështje penalo-juridike.

I akuzuari Besnik Rexhepi e ka mbështetur në tërësi fjalën e mbrojtësit të tij.

Shqyrtimi gjyqësor ka vazhduar me dëgjimin e të dëmtuarit në cilësinë e dëshmitarit, Burhan Bilalli, i cili ka deklaruar që mbetet pranë deklaratave të dhëna në polici dhe në prokurori.

I njëjti tha se në ditën kritike ishte takuar me Besnikun tek një kafene në Viti.

I dëmtuari Bilalli tha se ishte ndalur që ta përshëndeste Besnikun dhe e kishte ftuar për kafe, por i njëjti nuk kishte pranuar me arsyetimin se kishte qenë duke e pritur vëllai dhe axha në qytet.

“Unë kam dalë jashtë dhe Besniku më ka përcjell, i ndjeri Arbnori kishte qenë afër tu nejt në parking ngase i njëjti e ka shtëpinë aty afër, të dy kanë nga ndërmjet veti. Ia kom qitë duart Besnikut me ndal dhe i njëjti më ka goditur me boks, po ashtu edhe Arbnorin e kam shtyrë, ku unë e kapa Arbnorin dhe e kam shty në drejtim të kerrit të Arbnorit”, tha dëmtuari  Bilalli.

Bilalli shtoi se pasi që ishin nisur me veturë me Arbnorin, e kishte parë Besnikun pas tyre me veturë, duke ia bërë me revole te xhami dhe duke e ekspozuar atë.

“I ndjeri i kishte pasur dy bishta kazme prapa veturës, ku njërin unë e kam blerë për me dërgu te shtëpia për nevoja të punës”, tha i dëmtuari Bilalli.

Sipas tij, i ndjeri Arbnori kishte hyrë në veturë pasi ka dalë, duke thënë se Besniku kishte armë dhe pastaj kishte dëgjuar krisma.

“Unë kam dashur të dalë nga vetura, po nuk kam mundur se i kam pasur dy plumba në shpinë, ndërsa në trup i kam 8 plumba. 7 plumba i kam të hekur prej trupit nga mjekët, ndërsa në qafë e kam 1 plumb, ku këtë nuk guxoj me hek”, tha i dëmtuari Bilalli.

I dëmtuari Bilalli shtoi se i ndjeri Arbnori e kishte njoftuar se me Besnikut në Zvicër i kishin shtyrë llafet, por pas 3 ose 4 ditëve e kishte njoftuar se ishin pajtuar.

“Arbnori ka qenë në veturë kur unë e kam dëgjuar krismën e armës dhe nuk e di se në cilin moment i ndjeri është goditur”, shtoi i dëmtuari Bilalli.

I njëjti vazhdoi deklaratën e tij, duke shtuar se i ndjeri Arbnori e kishte njoftuar se arsyeja se pse kishin pasur problem në Zvicër, ishte se i njëjti i kishte prerë dy armatura gabim gjatë kohës sa kishte qenë duke punuar me Besnikun dhe për këtë arsye të ndjerin e kishte goditur me dy shuplaka.

Seanca gjyqësore ka vazhduar me dëgjimin e të dëmtuarës në cilësinë e dëshmitares Xhylinaze Rama, nëna e të ndjerit Arbnor Rama, e cila tha se i biri i kishte treguar se kishte pasur një problem, ku i akuzuari ishte fjalosur me të në vendin e punës.

“Babëgjyshi i të ndjerit i kishte pajtuar, por edhe unë kam insistuar me shku te prindërit e të akuzuarit, me shku me i pajtu, mirëpo bashkëshorti nuk më ka lejuar”, tha e dëmtuara Rama.

E njëjta tha se kishte dëgjuar nga kunati i madh se e kishin plagosur Arbnorin.

Tutje, seanca gjyqësore ka vazhduar me dëgjimin e të dëmtuarit në cilësinë e dëshmitarit Isah Rama, babai i të ndjerit Arbnor Rama, i cili tha se tani i ndjeri i kishte treguar se e kishte pasur një plagë në kokë për shkak të një problemi që kishte pasur me një djalë në Zvicër.

I dëmtuari Rama tha se i ndjeri Arbnor asnjëherë nuk i kishte thënë asgjë lidhur me problemin që ka pasur pasi që kishte ardhur prej Zvicrës.

“Pasi kam arritur në emergjencë, kur kam hyrë brenda unë mora vesh që Arbnori veçse kishte ndërruar jetë”, tha i dëmtuari Rama.

Më pas, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Sabedin Mushica ka njoftuar se në mungesë të dëshmitarëve Muhamer Avdiu, Leotrim Hyseni dhe Besmir Islami, seanca e sotme ndërprehet dhe e radhës mbahet më 27 maj.

Sipas aktakuzës, më 13 korrik 2021 në Viti, rruga “Kemajl Azizi”, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin Arbnor Rama, dhe ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin Burhan Bilalli, në atë mënyrë që pas një konflikti fizik, në mes të tani të pandehurit dhe dy të dëmtuarve, përballë Restorant- Picerisë “D&D”, në Viti, të njëjtit takohen përsëri mbi urën e lumit Morava përballë shkollës “Hoxhë Junuzi” në Viti, me ç’rast ndalen të dëmtuarit, e më pas nga vetura e llojit “Opel”, del i demtuari Arbnor, me shkop dorë në dorë dhe niset në drejtim të veturës “BMW X5″, e ndalur pas veturës së tij, në atë moment nga kjo veturë, del i pandehuri me revole në dorë.

Në aktakuzë thuhet se me të vërejtur të pandehurin me revole, i dëmtuari Arbnor ikë dhe hyn në veturën e tij, e që i pandehuri afrohet tek vetura, tek xhami i vozitësit, ku ishte i ulur tani i ndjeri Arbnor dhe shtie në drejtim të tij duke e goditur me katër plumba në pjesën anësore të epërme të krahut të majtë, e më pas del nga ana e pasagjerit dhe shtie me revole pesë herë në të dëmtuarin Burhan, duke e goditur në abdomen, në shpatullën e djathtë, kofshën e majtë dhe të djathtë.

Gjithmonë sipas aktakuzës, derisa ishte duke u larguar, i pandehuri e godet edhe me shqelma në pjesë të ndryshme të trupit, pasi që i dëmtuari Arbnor goditet me armë nga i pandehuri, në atë gjendje e nis veturën, i cili për pasojë e godet veturën e llojit ” BMW”.

Me ç’rast  thuhet se lëndime trupore pësojnë Besmir Islami dhe Hysmete Islami, e nga inercioni automjeti i llojit” BMW”, e godet automjetin e llojit “Golf IV”, të të dëmtuarit Muhamet Avdiu, të cilit i shkakton dëme materiale, në këtë mënyrë nga verimet e të akuzuarit i ndjeri Arbnor ndërron jetë duke u transportuar rrugës për në Spitalin Regjional të Gjilanit, ndërsa të dëmtuarit Burhan i shkakton lëndime natyrës së rëndë trupore.

Me çka, ngarkohet se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë”, nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.5 të Kodit Penal, e dënueshme me jo më pak se dhjetë vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.

Sipas diapozitivit të dytë, thuhet se që nga data e pavërtetuar e deri më 13 korrik 2021, në ora 11:50 minuta, i akuzuari në kundërshtim me ligjin për armët, ka poseduar një revole të prodhimit “Tisas Zig14”, cal. 9mm, e cila ishte gjetur tek ai, e që me rastin e bastisjes në shtëpinë e tij në Viti janë gjetur edhe një pushkë gjuetie, e prodhimit “Bayir”, model Side By Side dhe 14 fishekë 12×76 mm,, të cilat armë janë sekuestruar nga Policia e Kosovës.

Me çka,  akuzohet se ka kryer veprën penale, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, paragrafi 1, të Kodit Penal, e dënueshme me gjobë deri në 7 mijë e 500 euro ose me burgim deri në pesë vjet.