Lajme

Deklarohet i pafajshëm i akuzuari për falsifikim të rezultateve të votimeve

08/12/2022 13:49
nga:N M

Të premten, në Departamentin për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, është deklaruar i pafajshëm i akuzuari për falsifikim të rezultateve të votimeve, Ferki Selmani.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Naim Beka, i akuzuari u deklarua i pafajshëm për veprën penale që i vihet barrë.

Në këto rrethana, gjykatësi Mentor Hajraj njoftoi të akuzuarin dhe mbrojtësin e tij, avokatin Safet Voca, për të drejtën e tyre në kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave në afat prej 30 ditësh.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 10 qershor 2022 ka ngritur aktakuzë kundër Ferki Selmanit sepse në zgjedhjet lokale më 22 tetor 2017, në shkollën fillore “Harun Beka ” në fshatin Vidimriq, komuna Mitrovicë e Jugut, në cilësinë e kryesuesit të Këshillit të vendvotimit në qendrën e votimit 1118B/01D, vendvotimin nr. 1118B/01 D, duke shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare apo autoritetin zyrtar në lidhje me zgjedhjet i ka shtuar dhe hequr votat.

Sipas aktakuzës pas rinumërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) është bërë krahasimi i të dhënave ku është identifikuar ndryshimi i votave, ashtu që gjatë rinumërimit të votave të kandidatëve brenda subjektit politik ka hequr votat e disa kandidatëve nga PDK dhe LDK duke i shtuar kandidatëve të tjerë, duke i regjistruar në mënyrë jo të saktë gjithsejtë 61 vota.

Me këtë ka kryer veprën penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit” nga neni 216 par. 2 lidhur me par 1. të KPRK-së. /Betimi për Drejtësi.

Lideri i LDK-së për shaminë: S’përfshihem në tema irelevante që i prodhon Kurti për ta mbuluar paaftësinë