Gjilan–Vëllezërit Bardh e Blerim Neziri në seancën fillestar të mbajtur të mërkurën, në Gjykatën Themelore të Gjilanit janë deklaruar të pafajshme se në bashkryerje i kanë shkaktuar lëndime trupore të dëmtuarit B.Sh.
“Lëndimet të cilat janë cekur në aktakuzë unë nuk ja kam shkaktuar të dëmtuarit, është e vërtetë se e kam goditur në krah dhe në qafë, por jo edhe në fytyre siç thuhet në aktin akuzues”, ka thënë i akuzuari Bardhi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Edhe i akuzuari Blerim deklaroi se nuk e pranon fajësinë për Çfarë ngarkohet nga Prokuroria.
Pasi që të akuzuarit nuk e pranuan fajësinë, gjyqtari Rilind Sermaxhaj u njoftuan me të drejtën e tyre që brenda afatit 1 mujor e kanë mundësinë, të paraqesin kundërshtimet e tyre lidhur me provat dhe kërkesë për hudhjen poshtë të aktakuzës.
Seanca e radhës do të caktohet pas kalimit të afatit për shfrytëzimin të drejtave të lartcekura.
Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 24 gusht nga Prokuroria Themelore në Gjilan, pretendohet se më 23 qershor 2023, rreth orës 16.00, në Rr. “Zija Shemsiu” në Gjilan, më saktësisht në parkingun e qendrës tregtare “Interex”, të pandehurit Bardh Neziri dhe Blerim Neziri, në bashkëkryerje, me dashje dhe me përdorimin të dhunës, i kanë shkaktuar lëndime trupore të dëmtuarit B.Sh, ashtu që për shkak të një mosmarrëveshje të çastit që kishin në mes vete, të pandehurit e sulmojnë të dëmtuarin, duke e goditur me grushte në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit, dhe pastaj largohen nga vendi i ngjarjes.
Me ç’ rast me veprimet e tyre të pandehurit thuhet se i kanë shkaktuar lëndime të lehta trupore të dëmtuarit, të konstatuara sipas ekspertizës mjeko- ligjore të datës 12 korrik 2023.
Në këtë rast të pandehurit e lartcekurit akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, nga neni 185, paragrafi 1 nënparagrafi 1.4 lidhur me nenin 31 të KPRK.


