Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic” ka deklaruar se nuk ndodhet në objektin e komunës momentalisht.
Zeqiri ka thënë se gjendja në këtë komunë nuk është aq e tensionuar sa ditën e djeshme.
“Jo, momentalisht nuk jam në objektin e komunës. Gjendja nuk është aq e tensionuar sa dje mirëpo nuk jam në objekt të komunës”, deklaroi Zeqiri për “Gazeta Blic”

Izmir Zeqiri, kryetar i Zubin Potokut
Në objektin e komunës nuk ndodhet as kryetari i zgjedhur i Zveçanit, Ilir Peci.
Peci tha se punët janë duke i kryer në Zyrën për Komunitete në fshatin Kelmend.
“Jo nuk jam në objektin e komunës, sot i kemi vazhduar punët në zyrën për komunitete e cila është në fshatin Kelmend, sot kemi punu aty”, tha shkurt Peci për “Gazeta Blic”.

Ilir Peci, Kryetar i Zveçanit
“Gazeta Blic” ka provuar të kontaktojë edhe me kryetarin e Mitrovicës së Veriut dhe atë të Leposaviqit, për t’i pyetur rreth gjendjes në komunat përkatëse, por ata nuk janë përgjigjur.
Gjendja në veri të vendit tash e disa ditë vazhdon të jetë e tensionuar.
Pas vendosjes së kryetarëve në objektet e komunave, grupe të armatosura serbëve kanë dalë në protestë duke penguar hyrjen e tyre në objekte.
Ditën e djeshme në Veri të vendit mbetën të plagosur 30 ushtarë të KFOR.
“Numri i paqeruajtësve të plagosur gjatë dhunës së djeshme në komunën e Zveçanit është 30. 11 ushtarë nga kontingjenti italian dhe 19 nga kontingjenti hungarez. Ata kanë pësuar lëndime të shumta, duke përfshirë thyerje dhe djegie nga mjetet ndezëse shpërthyese të improvizuara. Tre ushtarë hungarezë u plagosën nga përdorimi i armëve të zjarrit. Lëndimet e tyre nuk janë të rrezikshme për jetën”, tha KFOR në komunikatën për media raporton Gazeta Blic.
Përfaqësuesi i lartë i Politikës së Jashtme të BE-së, Joseph Borrell ka kërkuar nga Kosova që të tërheq policinë nga ndërtesat komunale në veri.
Ai ka thënë se aktet e dhunës ndaj qytetarëve, mediave e forcave të rendit dhe KFOR-it janë të papranueshme.“Dua të them se BE-ja e dënon fuqishëm dhunën në veri të Kosovës, që e kemi parë ditëve të fundit. Aktet e dhunës ndaj qytetarëve, mediave, forcave të rendit dhe KFOR-it janë të papranueshme”, tha Borrell raporton Gazeta Blic.
Borrell thirrje Kosovës: Tërhiqeni policinë nga ndërtesat komunale në veri
Sekretarja e Përgjithshëm e OSBE-së: Dënoj fuqishëm dhunën në veri të Kosovës


