Me 18 gusht në Bruksel do të takohen kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.
Nga qeveria kanë thënë se nuk do të ketë diskutim për reciprocitetin, pasi ky vendim nuk ka pse të diskutohet, pavarësisht se takimi u thirr nga ana e BE-së pas tensioneve në veri të vendit me 31 korrik, ku serbët barrikaduan rrugët në shenjë revolte për zbatimin e reciprocitetit që do të niste me 1 gusht.
Në anën tjetër, gazeta serbe “Nova” ka shkruar në këtë takim të dy palët do të nënshkruajnë një deklaratë të përbashkët për zgjidhjen e çështjes së personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Media serbe shkruan se teksti i deklaratës është harmonizuar dhe është duke u pritur momenti që ajo të nënshkruhet.
Por këto po i quan spekulime Bashkimi Evropian.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se nuk i komentojnë spekulimet e tilla që shkruajnë mediat, për përfundime të mundshme të takimeve.
“Nuk komentojmë spekulime në media dhe nuk paraprijmë takimet që organizojmë me spekulime për një përfundim të mundshëm”, thotë Stano.
Ndërsa, lidhur me agjendën e takimit Kurti-Vuçiq, zëdhënësi i BE-së për Gazeta Blic se atë do ta publikojnë më afër datës së takimit.
“Lidhur me takimin e nivelit të lartë të dialogut me Presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti në Bruksel më 18 gusht, do të publikojmë më shumë detaje rreth tij, përfshirë agjendën, më afër datës kur do të zhvillohet”, deklaron Peter Stano.
Lidhur me temat e diskutimit të takimit, Gazeta Blic ka pyetur edhe Zyrën e Kryeministrit por që nuk kanë kthyer përgjigje./Gazeta Blic/


