Lajme

Deklaratat për luftë/ Berisha: Një Qeveri e përgjegjshme nuk bën deklarata të tilla, sulmi ndaj Kosovës do të thotë sulm ndaj NATO-s

04/30/2024 11:54
nga:N K

Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, në një intervistë për Gazeta Blic, ka folur rreth deklaratës së Zv/kryeministrit Bisnik Bislimi i cili ka thënë se Kosova duhet të përgatitet për luftë. Ai ka kritikuar Qeverinë Kurti, derisa thotë se një qeveri e përgjegjshme nuk flet për luftë, por duhet të punojë dhe të ngrit nivelin e sigurisë.

“Një Qeveri e përgjegjshme nuk flet për luftë, punon përgatitet dhe ngrit nivelin e sigurisë, kapacitetet mbrojtëse, kjo Qeveri do të duhej të fliste për zhvillimin ekonomik dhe situatën e përgjithshme sociale në vend”, tha Berisha.

Ai tutje shton se Serbia asnjëherë nuk i ka shuar ambiciet për luftë apo për të sulmuar Kosovën.

“Serbia nuk i ka shuar asnjëherë ambiciet për luftë apo për të sulmuar Kosovën, sepse kjo është në programin e saj, është objektiv nacional i tyre”, u shpreh deputeti për Gazeta Blic.

Krahas kësaj, Berisha thotë se Serbia që nga viti 1999 e deri më sot ka bërë luftë hibride në Kosovë.

“Që nga viti 1999 e deri më sot Serbia ka bërë luftë hibride në Kosovë, me organzimin e ruajtjes së urave, mbrojtjen civile”, deklaroi ai.

Tutje, Berisha shton se nëse Qeveria ka ndonjë sinjal për një sulm të mundshëm, atëherë Qeveria ta ngritë kapacitetin në nivelit të gatishmërisë luftarake.

“Qeveria do të duhej të ngritë kapacitetet nivelin e gatishmërisë luftarake nëse ajo vërtet ka sinjal që do të ketë diçka të tillë”, shtoi ai.

Deputeti thotë se Kosova është nën mandatin e Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara dhe sulmi ndaj Kosovës do të thotë sulm ndaj NATO-s.

“Kosova është nën mandatin e Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara dhe sulmi në Kosovë do të thotë sulm ndaj NATO-s ”, potencoi ai./Gazeta Blic/