Zgjedhjet Lokale

Driton Ajazi sqaron deklaratat për Lladrovcin dhe flet për koalicionet para raundit të balotazhit

11/05/2021 09:52
nga:Y I

Kandidati i Iniciativës Qytetare ‘Demokratët për Drenasin’ Driton Ajazi dhe kryetari aktual i kësaj komune, Ramiz Lladrovci, janë përfshirë në polemika ditët e fundit.

Ajazi ditë më parë ka deklaruar se Ramiz Lladrovci ka qenë dëshmitar kundër krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale.

Kjo gjë u hodh kategorikisht poshtë nga vetë Lladrovci dhe nga qendra e PDK-së në Prishtinë.

Nga PDK-ja madje e cilësuan si liçuese fushatën e Ajazit kundrejt krerëve të UÇK-së dhe vetë Lladrovcit.

“Partia Demokratike e Kosovës dënon ashpër fushatën e turpshme, linçuese e shpifëse kundër kryetarit të Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci dhe kundër Partisë Demokratike të Kosovës, nga ana e Driton Ajazit, kandidat për kryetar në Drenas, nga një iniciativë qytetare” thuhet në reagimin e PDK-së.

Kandidati i ‘Iniciativës Qytetare’ për kryetar të Drenasit, Driton Ajazi, në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic” ka sqaruar gjithçka në lidhje me deklaratën e tij.

Ajazi ka thënë se gjithçka ai ka thënë, qarkullon ne media tash e dy vite.

“Kam reagu edhe unë në lidhje me këtë çështje. Ne jemi në garë zgjedhore, fokusi im tanimë është që t’u prezantoj projekte qytetarëve të komunës së Drenasit. Ajo ç’ka kam potencu nuk është asgjë më shumë se se ajo që ka qenë pjesë mediale tash e dy vite, që kanë qarkullu lajme dhe video-inçizime të cilat e kanë proklamu atë çështje për zotin Lladrovci. Unë skam thënë asgjë më tepër që është thënë nëpër media gjatë këtrye dy viteve të fundit. Reagimi i qendrës së PDK-së ishte i ngutshëm, ishte nën presion, dihet nën presion të kujt. Edhe unë iu kam përgjigj këtij reagimi dhe tanimë vazhdojmë garën politike”

Tutje Ajazi foli edhe për koalicionet para raundit në balotazhit me 14 nëntor dhe se a janë në bisedime me ndonjë subjekt politik.

“Tanimë jemi futur në 10-ditëshin e fundit të garës dhe tani koalicionet nuk janë ato që mund ta forcojnë ose ta dobësojnë garën. Po të bënim koalicion është dashtë të bënim koalicion që në ditët e para pas balotazhit. Ne kemi bërë vlerësimet tona të brendshme dhe kemi ardhë në përfundim se tanimë qytetarët e komunës së Drenasit janë të vendosur që në Drenas të ketë ndryshime dhe këtë e kanë percaktuar në zgjedhjet e 17 tetorit ku 55% e qytetarëve kanë votuar ndryshe” deklaroi Ajazi për “Gazeta Blic”

“Gazeta Blic” ka dërguar pyetje edhe në adresë të zotit Lladrovci, lidhur me deklarimet e Ajazit, por i njëjti deri në këto momente nuk ka kthyer përgjigje.

Kujtojmë se Lladrovci dhe Ajazi do të përballon me 14 nëntor në balotazh për të marrë kryesimin e komunës së Drenasit.

/Gazeta Blic/

 

​Rreth 120 milionë euro do t’iu rimburësohen qytetarëve në 5 vitet e ardhshme për tërheqjen e 10 % të Trust-it