Lajme

Deklaratat e Lavrovit tërbojnë Izraelin: “Nevojitet denazifikim, por i Moskës, jo i Kievit”

05/03/2022 09:21
nga:Astrit Gashi

Nuk po pushojnë reagimet e ashpra në Izrael, pas deklaratës skandaloze të ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov, i cili në një intervistë të fundit tha se “Hitleri kishte gjak hebre” dhe se “antisemitët më të egër janë zakonisht hebrenjë”, përcjellë GazetaBlic.

Dje është ftuar për bisedime ambasadori rus në Izrael dhe Izraeli kërkoi nga Moska kërkimfalje zyrtare për deklaratën e Sergei Lavrovit.

Ministri i Jashtëm rus e tha këtë në një përpjekje për të justifikuar pretendimin e Rusisë se Ukraina është “naziste” pavarësisht faktit se ajo ka hebre si president.

Deklarata e Sergei Lavrov shkaktoi një sërë komentesh dhe dënimesh të ashpra në mediat izraelite.

Jerusalem Post vlerësoi në një analizë se deklarata e Sergei Lavrovit do të thotë se Izraeli nuk mund të jetë më neutral për luftën në Ukrainë. Planet e Jerusalemit për të “qëndruar disi anash luftës” dështuan, thuhet në koment.

Gazeta izraelite Haaretz, nga ana tjetër, citoi një koment të Komitetit Hebre Amerikan, i cili theksoi se “denazifikimi është vërtet i nevojshëm, por në Moskë, jo në Kiev”.

“Ministri i Jashtëm rus, një nga ndihmësit kryesorë të Putinit, e ka bërë të qartë pse. Deklarata e tij është e tmerrshme,” shkroi Haaretz, përcjellë GazetaBlic.