Deputetja e Partisw Guxo, Jeta Statovci, ka komentuar deklaratat e përfaqësuesit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, gjatë vizitës së tij sot në Kosovë.
Ajo në një prononcim për Gazeta Blic, thotë dihet që BE do të kërkojë normalizim të marrëdhënieve, por që s’është e qartë pse nuk është lexuar situata në terren.
“Ne e kemi të qartë se BE do vazhdojë të kërkojë nga ne, dhe nga Serbia, një normalizim sa më të shpejtë, por nuk e kemi të qartë përse nuk është lexuar situata në terren në nivelin e nevojshëm objektiv”, thotë ajo.
Sipas Statovcit, Lajçak përgjigjen për nisje të zbatimit të marrëveshjes së Brukselit e gjen te nënshkrimi i saj, derisa Serbia s’ka shprehur vullnet, ndërsa Kosova po, andaj dhe ka ngecje.
“Mendoj se emisari Lajçak përgjigjen në pyetjen se kur mund të fillojë zbatimi i marrëveshjes së Brukselit (27 Shkurt) dhe aneksit të Ohrit (Mars 18), më së miri e gjen te nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve, për çka ekziston vullneti i shprehur i Kosovës, por jo edhe i Serbisë. Kjo sepse Kosova është e interesuar t’i zbatojë në tërësi, por Serbia është e interesuar të zbatojë pika të caktuara. Andaj ka ngecje, andaj edhe mund të vazhdohet të ketë ngecje, dhe kjo nuk është e kënaqshme”, vlerëson ajo për Gazeta Blic.
Ndërsa, lidhur me deklaratat për sulmin në Banjskë, deputetja Statovci thotë se nuk është aspak inkurajuese që BE s’ka nisur sulmet por vetëm shtetet individuale, derisa kanë raportin dhe personi që e ka bërë sulmin e ka pranuar atë.
“Kanë kaluar më shumë se 4 muaj nga sulmi terrorist edhe paramilitar në Banjskë. Nuk është aspak inkurajuese që edhe pas 4 muajve emisari Lajçak ende flet për hetime individuale të shteteve të veçanta, ndërkohë që edhe BE edhe shtetet e BE-së janë në posedim të raportit 48 faqesh që është përgatitur nga Qeveria dhe personi që ka drejtuar dhe ka marrë pjesë në sulm ka pranuar fajin para autoriteteve të Serbisë dhe i njëjti është i lirë në Serbi”, deklaron deputetja e Guxo, Jeta Statovci./Gazeta Blic/
Lajçak pas takimit me Kurtin: Folëm për dinarin – s’ka hetime të BE-së për Banjskën
Lajçak thotë se ka folur për çështjen e dinarit me Kurtin, “nesër jepen më shumë informata”