Lajme

Deklaratat e Lajçak për anëtarësim në BE: VV kërkon dialog të balancuar, AAK ndërtim të raporteve Kosovë-Serbi

07/08/2024 13:29
nga:N K

Miroslav Lajçak, i dërguar i posaçëm të BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë thotë se as Kosova dhe as Serbia s’mund të bëhen anëtare të BE-së, përpara se të finalizohet marrëveshja për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve.

Lidhur me këtë çështje, në një prononcim për GazetaBlic, u deklarua deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batusha, ku thotë se asnjë shtet nuk mund të anëtarësohet pa pasur marrëdhënie të mira fqinjësore, e sidomos rasti Kosovë-Serbi.

“Në bazë të kritereve për anëtarësim në Bashkimin Evropian në kapitullin 35, natyrisht që asnjë shtet nuk mund të anëtarësohet pa pasur marrëdhënie fqinjësore të mira, sidomos në rastin e Kosovës dhe Serbisë, natyrisht do të duhej patjetër të jetë kriter për Serbinë gjatë anëtarësimit të jetë kriter edhe rregullimi i marrëdhënieve me Kosovën”, deklaroi ai.

Sipas tij, dialogu duhet të jetë i balancuar dhe natyrisht që duhet të adresohet edhe çështja e Banjskës.

“Kurse sa i përket kësaj anës tjetër, do të duhej që dialogu të jetë i balancuar pikësëpari, natyrisht që duhet të adresohet çështje e Banjskës që të përgjigjen terrorristët para drejtësisë dhe natyrisht duhet të kemi marrëveshje të nënshkruar, përndryshe ne nuk mundemi me marrë obligime për një marrëveshje që pala tjetër nuk e njeh, nuk e nënshkruan, prandaj Kosova gjithmonë ka qenë palë konstruktive dhe do të vazhdojë të jetë por natyrisht duke i mbrojtur interesat dhe qëndrimet shtetërore”, përfundoi deputeti i LVV-së Agon Batusha.

Ndërsa, lidhur me këtë çështje, në një prononcim për GazetaBlic, u deklarua edhe deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadriaj.

Ajo tha se vazhdimisht dëgjohen deklarata të tilla nga faktorët evropianë dhe se rruga evropiane do të stopohet derisa ata nuk kontribuojnë në ndërtimin e raporteve të mira.

“Vazhdimisht janë dëgjuar deklarta nga faktorët ndërkombëtarë që rruga evropiane e Kosovës dhe e Serbisë do të stopohet, përderisa ata nuk kontribuojnë në ndërtimin e raporteve të mira dhe cilësore dhe në fakt vazhdohet me rrugën e integrimit evropian, dihet që kjo i është bërë me dije edhe Serbisë”, deklaroi deputetja e AAK-së Time Kadriaj.

/GazetaBlic/