Lajme

Deklaratat e Escobar/ Agusholli: Ndaj veprimeve të rënda të Serbisë s’ka pasur reagim të tillë si ndaj Kosovës

03/12/2024 21:05
nga:G B

Emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, e ka quajtur “katastrofik” dhe “jokompetent” vendimin e autoriteteve të Kosovës për të zbatuar rregulloren e BQK-së për çështjen e dinarit.

Ai po ashtu ka thënë se ka probleme komunikimi me Qeverinë Kurti dhe do të donin që partneriteti të vazhdonte si dikur.

Lidhur me këtë deklaratë, për Gazeta Blic ka folur deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Gramos Agusholli.

Sa i përket deklaratës për dinarin, ai vlerëson se BQK e ka kompetencën dhe legjitimitetin për të vendosur për këtë çështje.

“Sa i përket kësaj deklaratë të Gabriel Escobar, unë konsideroj se BQK e ka legjitimitetin dhe kompetencën e plotë të vendosë për çështjen e dinarit. Nëse Banka Qendrore e një shtetit nuk është kompetente, kush është pra? Pajtohem me të se është dashur të ketë lehtësira dhe të ofrohen alternativa, bile e kam cekur në një prononcim për gazetën tuaj”, shprehet ai.

Lidhur me atë se a i sheh shqetësuese këto deklarata, deputeti i VV-së thotë se gjuha e përdorur nga disa ndërkombëtarë po shkakton zemërim në opinionin publik dhe kjo shihet si mungesë respekti për pavarësinë e vendit.

“Gjuha e përdorur nga disa vëzhgues perëndimorë në lidhje me situatën në Kosovë, duke përfshirë kërcënimet për shkatërrimin e marrëdhënieve, po shkakton zemërim edhe ne opinionin publik. Kjo po duket si një mungesë respekti për dinjitetin dhe pavarësinë e vendit”, vlerëson Agusholli për Gazeta Blic.

Ai kujton se në shumë raste veprimet nga Serbia kanë qenë më të rënda dhe me pasoja për rajonin, por s’ka pasur reagim të tillë si ndaj Kosovës.

“Ndërsa në disa raste, veprimet e shtetit të Serbisë kanë qenë më të rënda dhe me pasoja më të mëdha për rajonin, por për dallim nga Kosova ka pasur tjetër reagim pala ndërkombëtare. Ky dallim në trajtim ka shkaktuar debat në lidhje me konsistencën dhe objektivitetin e reagimeve ndërkombëtare në krizat rajonale”, thekson deputeti.

Ai shton se Kosova duhet të mbajë marrëdhënie me SHBA-të në nivel partneriteti, duke ruajtur identitetin dhe integritetin e vet.

“Në fund, është e rëndësishme që Kosova të vazhdojë të mbajë marrëdhëniet me SHBA-në në një nivel të respektueshëm dhe të partneritetit, duke u bazuar në vlerat dhe interesat e përbashkëta, duke ruajtur dinjitetin dhe integritetin e vet”, deklaron deputeti i VV-së, Gramos Agusholli./Gazeta Blic/

 

Escobar: Zbatimi i vendimit të BQK-së, katastrofik dhe jokompetent

Escobar: Kemi probleme komunikimi me Qeverinë Kurti, do të donim që partneriteti të kthehej si dikur