Lajme

Deklaratat e Dejona Mihalit për liderët opozitarë, eksperti i sigurisë tregon a duhet të formohet komision hetimor

08/22/2023 13:10
nga:G B

Zyrtarja e VV-së, Dejona Mihali, ka publikuar një deklaratë në Facebook, ku thotë se liderët e opozitës komunikojnë me pronarë të mediave e shtëpive botuese.

“U lajmërua pas konferencës së ministres së Arsimit, “Dukagjini” përfituesi i biznesit me tekste shkollore, dhe me radhë LDK, PDK, pastaj ekspertët e ethshëm që mendojnë ditë natë për shkollën dhe dijen. Sonte nuk do t’i zë gjumi, nga meraku. Pyeteni Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale çka mund të bëjë ai në këtë drejtim. I ka çunat e task forcës gati. Ose le ta marrë edhe pronarin e “Dukagjinit”, z. Lluka, Lumiri, pastaj Memli, ta sigurojnë që janë ‘Pas tij” siç e telefonojnë Shkëlqim Devollin këto kohë. Ah, edhe një komision hetimor, s’e harrova, për tekstet shkollore. Ta drejtojë Enver Hoxhaj, ish ministri që e njeh mirë këtë lëmi, bashkë me Akademik, deputet Kujtim Shalën, që e njeh nga afër dhe nga brenda “Dukagjinin””, shkroi ajo

Pas kësaj, gazetari Vehbi Kajtazi ka shprehur shqetësim duke thënë se opozita duhet të reagojë ndaj kësaj, duke kërkuar komision hetimor dhe të bëjë kallëzim penal në Prokurori, pasi Mihali po tregon se liderët opozitarë janë duke u përgjuar.

Lidhur me këtë, eksperti i sigurisë, Drizan Shala, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se në këtë rast prokuroria do të duhej t’i ftonte palët për intervistim.

“Prokuroria do të duhej sipas detyrës zyrtare të ftojë palët e apostrofuara në rastin e deklarimit zyrtar që ka bërë zonja Mihali, që ajo po posedoka informacione zyrtare të komunikimit në mes liderëve opozitarë dhe grupeve të interesit”, thotë ai.

Sipas tij, do të duhej të bëheshin disa pyetje lidhur me këto informata të publikuara.

“Pra, pyetja do të duhej të ishte:

A ka material të përgjimeve zonja në fjalë, nëse po, kush (cili institucion ia ka ofruar dhe ku janë bazuar që ajo t’i ketë në posedim këto info)
Nëse zonja në fjale ka lidhje të saj brenda institucioneve të prokurorisë/sigurisë dhe këta zyrtarë kanë shpërndarë informacione të klasifikuara të ndonjë hetimi eventual ndaj liderëve opozitarë, atëherë do të duhej të dihej se kush ka vepruar duke shkelur normat”, shprehet Shala.

Eksperti i sigurisë shton se komisionet që mbikëqyrin punën e institucioneve duhet të hetojnë rastet dhe nëse ka shkelje të bëhet dhe komisioni hetimor.

“Burimi i informacionit për veprime të interesit publik janë të rregulluar me aktin më të lartë që është Kushtetuta e Kosovës dhe në cilat raste dhe formati mund të bëhet. Në nivelin politik institucional kemi komisione të cilat mbikëqyrin punët e institucioneve dhe do të duhej të ngriten hetime brenda tyre e në rast se vërehet/konstatohet dhe dëshmohet fakti i pretenduar për shkelje ligjore, atëherë të behet një komision hetimor parlamentar”, deklaron Drizan Shala./Gazeta Blic/

Kajtazi: Dejona Mihali tregoi se po përgjohen liderët e opozitës, AKI po keqpërdoret nga pushteti – opozita të veprojë