Lajme

Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut, Krasniqi: Shprehje e aspiratave të popullit për liri, demokraci e pavarësi

07/02/2023 10:41
nga:Genita C

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, për përvjetorin e 33-të të Deklaratës Kushtetuese për Kosovën thotë se është një prej akteve politike-juridike më të rëndësishme në historinë e vendit.

Krasniqi ka nderuar të gjithë delegatët e popullit, i cili tha se me këtë deklaratë e kanë shpallur Kosovën njësi të pavarur dhe të barabartë me të gjitha Republikat tjera të ish-Jugosllavisë.

“Sot nderojmë të gjithë delegatët e guximshëm të popullit të Kosovës, të cilët me këtë deklaratë e shpallën Kosovën njësi të pavarur dhe të barabartë me të gjitha Republikat tjera të ish-Jugosllavisë, ndonëse ndërtesa e Kuvendit ku ata ishin mbledhur, ishte e rrethuar nga policia serbe”, ka shkruar Krasniqi.

Tutje, ai thotë se Deklarata e Kushtetuese e 2 korrikut ishte shprehje e aspiratave të popullit për liri, demokraci e pavarësi.

“Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut ishte shprehje e aspiratave të popullit tonë për liri, demokraci dhe pavarësi, e cila i parapriu Kushtetutës së Kaçanikut, si dhe proceseve tjera në një rrugë të gjatë e plot sakrifica, që kulmoi me shpalljen e Kosovës shtet të pavarur dhe sovran”, ka shkruar tutje ai në Facebook.