Lajme

Deklarata e Vuçiqit për mos zbatim të marrëveshjes, sa janë shanset për sanksione nga BE?

04/11/2023 18:47
nga:G B

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka deklaruar se do të zbatojë vetëm disa pjesë të marrëveshjes së Ohrit.

Lidhur me këtë ka pasur reagime të shumta, madje sot ka reaguar edhe Bashkimi Evropian, i cili ka thënë se do të ketë pasoja politike, financiare për palët që nuk zbatojnë marrëveshjen.

Lidhur me deklaratën e Vuçiq, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Shqiprim Pula, thotë për Gazeta Blic se ajo nuk është korrekte dhe as e sinqertë, teksa shton se fakti se nuk ka pranuar ta nënshkruajë marrëveshjen, e bën atë më të zbehtë në tërësinë e saj.

“Deklarimet e zyrtarëve të fqinjit tonë verior, Serbisë, përfshirë dhe presidentin Vuçiç, lidhur me dakordimin e parë mbi dokumentin bazë të deklaruar publikisht më 27 Shkurt në Bruksel dhe dakordimit të dytë mbi aneksin po ashtu të deklaruar publikisht më 18 Mars në Ohër, si marrje përgjegjësish “gjoja” për t’i dhënë një perspektivë më të mirë raporteve mes dy vendeve tona, nuk po rezulton korrekte e aq më pak e sinqertë! Dakordimet e bëra publike, si qëndrime politike, ishin për tërësinë e pikave dhe jo për pjesë të caktuara të saj. Por, fakti se, palët si negociues nuk pranuan të nënshkruanin si palë shtetërore, dokumentin bazë dhe aneksin (si udhërrëfyes) e ka zbehur në tërësinë e saj përmbajtjen dhe detyrimin për të qenë marrëveshje e mirëfilltë ndërkombëtare, përkundër se ashtu po e shesin lehtësuesit dhe ndërmjetësuesit e procesit të dialogut”, thotë Pula.

Se si duhet të veprojë Kosova, nëse Serbia nuk e zbaton marrëveshjen në tërësi, ai thotë se pritjet për zbatim janë që nga viti 2013 për marrëveshjet e bëra por që paqja mes dyja vendeve nuk është arritur akoma.

“Pritshmëritë janë mbi një dekadash tashmë lidhur me zbatimin e dokumentit të parë të nënshkruar më 19 Prill, 2013 i cili dokument u fuqizua edhe me Ligjin për Ratifikimin e “Marrëveshjes së Parë Ndërkombëtare mbi Normalizimin e Marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë” i datës 27 Qershor, 2013 e që atëherë, normalizimi i marrëdhënieve nuk ka ndodhur!. Pra, as këto përpjekje nuk i kanë dhënë mundësinë paqes dhe të ardhmes së dy vendeve dhe ai qëllim akoma ka mbetur i parealizuar. Tashmë, sërish i ripërsëritur por me pengesa të reja sipas tekave të presidentit serb Vuçiq, i cili, natyrisht gjen tolerimin nga Brukseli zyrtar”, vlerëson Shqiprim Pula për Gazeta Blic.

Ai thekson se me këtë qasje të Serbisë, Kosova e ka të pasigurt ecjen përpara.

“Kosova e ka të pasigurt ecjen përpara me këtë qasje të Serbisë për sa i takon kësaj teme ngase nuk janë të gatshëm për një marrëveshje e cila përcakton një fqinjësi të mirë, e posaçërisht nga deklarimet spekulative serbe që e bëjnë më komplekse situatën”, potencon eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare.

Pula shton se Serbia ka pasur përkrahje nga ana e Brukselit dhe ndërmjetësuesve.

“Pretendimi për fqinjësi të mirë në mes Kosovës e Serbisë, i ndihmuar nga ndërkombëtarët, ka pasur një qasje jo të duhur dhe jo parimore për të rritur besimin ndërmjet palëve, kjo, si rezultat i insistimit kundrejt Kosovës për koncesione. Mbështetja e Brukselit zyrtar, respektivisht e të emëruarit për dialogun edhe e disa ndërkombëtarëve të tjerë, si “spin doktorë” të cilët për arsye të njohura e të panjohura, realitetin po e shohin vetëm me narrativën për “normalizim” dhe jo për një Traktat Paqeje. Kjo, në termat e së drejtës ndërkombëtare mund të jetë veçse një paqe e rrejshme. Madje, kjo po i jep mundësinë Serbisë që Kosovën ta përdorë si një lloj agjende anti-evropiane sa herë që i duhet për ndonjë përfitim financiar nga UE-ja dhe jo vetëm”, deklaron ai.

Më tej, ai thotë se ndërkombëtarët e kanë toleruar Serbinë në raport me Kosovën, duke mos i dhënë zgjidhje problematikes në mes të dyja shteteve.

“Kështu, diplomacia dhe politika serbe, ka arritur tek shtetet evropiane dhe më gjerë të krijojë situatë konvergjence për sa i takon problematikës me Kosovën. Prandaj, në secilën fazë dhe rast ballafaqimi, me këtë temë, ndërkombëtarët i kanë bërë tolerancë bazuar në situatën e deritanishme duke u pajtuar heshturazi me përpjekje jo efektive për t’i dhënë zgjidhje meritore dhe të përhershme kësaj problematike”, thekson Pula.

Sipas tij, procesi i dialogut ka qenë i manipuluar sepse dështimet e përsëritura janë si rezultat që Serbia nuk ka dhënë llogari dhe nuk i ka fshehur apetitet për territor të Kosovës, duke bërë fushata kundër saj, por që nuk ka pasur sanksione ndaj saj asnjëherë.

“I gjithë procesi i dialogut, në përmbajtjen e saj ka qenë i manipuluar me adutin për perspektivën evropiane sepse dështimet e përsëritura janë si rezultat i llogaridhënies së munguar nga Serbia zyrtare, e cila asnjëherë nuk e ka fshehur apetitin e saj territorial, ndërhyrjen në rregullimin e brendshëm shtetëror, fushatave kundër anëtarësimeve të Kosovës në organizma ndërkombëtar dhe ‘ç’njohjet’ ndërkaq procesi ka vazhduar dhe në asnjë rast nuk kemi pa të ketë pasur sanksione ndaj Serbisë”, thotë eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare.

Pula përmend tri arsyet mbi të cilat është prezantuar dialogu në fillim, por që pavarësisht dështimit të përmbushjes së këtyre arsyeve, nuk ka pasur asnjëherë sanksione Serbia.

“Kur ka filluar dialogu më 2011 është prezantuar të paktën mbi tre arsye fondamentale, e para, për përmirësimin e jetës së qytetarëve për të dyja vendet, e dyta, ecja hapave për integrim evropian, dhe e treta, promovimi i bashkëpunimit mes dy vendeve për ta kultivuar fqinjësinë e mirë. Por, përkundër se kanë dështuar të përmbushen këto arsye siç të prezantuara, nuk kemi parë t’i ketë ndodhur ndonjë sanksionim Serbisë, përkundrazi. Mbase duhet kujtuar edhe një prej deklarimeve publike të Robert Cooper ish-ndërmjetës i UE-së për dialogun Kosovë-Serbi, i cili qysh më 2011 pati thënë: “dialogu ishte i nevojshëm dhe do jetë i nevojshëm pavarësisht epilogut””, përfundon Shqiprim Pula./Gazeta Blic/

Anëtari i PDK-së në KQZ: Zgjedhjet në veri do të mbahen, presim që të hapen të gjitha qendrat e votimit