Lajme

Deklarata e Stanos/ PDK e AAK kritika Kurtit: Me të në pushtet jemi shtet nën sanksione e me sovranitet të cunguar

08/01/2024 21:17
nga:Sh R

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka folur sot edhe një herë për rihapjen e Urës së Ibrit për qarkullim. Stano ka thënë se çdo hap dhe veprim duhet të bëhet në kuadër të dialogut të Brukselit.

Lidhur me këtë çështje, në një prononcim për GazetaBlic, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, thotë se çdo veprim i kryeminsitrit Kurti, pa u konsultuar me faktorët ndërkombëtarë i ka bërë dëm Kosovës.

“Për shkak të performancës së keqe dhe për shkak se kjo qeveri ka qenë jo transparente me publikun, me mediat, me parlamentin, duke u sjellë me arrogancën e numrave, kjo qeveri tash meqë jemi në vit zgjedhor dhe në fund të mandatit do të mundohet me veprime populliste ta mbajë elektoratin e vet dhe tash do të sheh. Mirëpo, çdo veprim i Kurtit pa u konsultuar me aleatët tanë, me faktorët ndëkombëtarë, ka dalë që i ka bërë dëm Kosovës. Ne e kemi veprimin e saktë, i cili është veprimi për targa i cili ka rezultuar asnjëherë pa e amnistuar Serbinë që ka pretendime destablizimi të Kosovës, veprimi për targa e ka destabilizu Kosovën dhe ka ndodhur veprimet, si pasojë e atyre veprimeve të pamatura të pa koordinuara, Kosova sot është me sanksione”, tha ajo.

Tutje, deputetja vlerëson se Kurti me veprime elektorale do të mundohet që ta mbajë ndezur elektoratin.

Kadrijaj thekson se kryeministri Kurti është demaskuar, pasi që ai konfirmoi se me mashtrim erdhi në pushtet dhe si mashtrues do të dalë prej pushtetit.

“Kurti me veprime elektorale ose me qëllim elekotral ndau nga 10 euro për lehonat, do të mundohet me këto veprime populliste ta mbajë ndezur elektoratin. Kurti është demaskuar, ai e konfirmoi se me mashtrim erdhi në pushtet dhe si mashtrues do të dalë prej pushtetit, sepse në bazë të gjitha atyre veprimeve që i ka bërë dhe premtimeve që i ka dhënë asnjë se ka përmbajtur”, shtoi Kadrijaj.

Deputetja thotë se me një qeveri të tillë vendi po kthehet prapa, ku shpreson se në zgjedhjet e ardhshme ka vetëdijesim të popullit.

“Kurti e ka pranuar marrëveshjen, e ka pranuar Asociacionin dhe i ka dhuruar edhe tokat e Manastirit të Deçanit për Këshillin e Evropës, nuk kemi njohje të reja, nuk kemi anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, jemi vend me sanksione, kjo është e vërteta e kësaj Qeverie. Me një qeveri të tillë ne po kthehemi prapa, shpresojmë që në zgjedhjet e ardhshme ka vetëdijesim të popullatës”, deklaroi deputetja e AAK-së Time Kadrijaj për GazetaBlic.

Ndërsa, deputetja nga Partia Demokratike e Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, thotë për Gazeta Blic se kemi një qeveri dështake, si në politika të brendshme, ashtu edhe të jashtme.

Deputetja thekson se Kosova është shteti i vetëm nën masa të BE-së, dhe pa asnjë njohje apo anëtarësim, ku shton se me këtë qeverisje kemi ngelur pa miq dhe jashtë çdo tryeze ku diskutohet integrimi dhe prosperimi.

“Qëndrimi i BE-së është i njohur, tashmë sa vite sa i përket çështjeve që ndërlidhen me veriun e Mitrovicës! Por, rëndësi ka që kemi një qeveri keqdashëse e dështake si në politika të brendshme, ashtu edhe të jashtme. Jemi shteti i vetëm nën masa të BE-së pa asnjë njohje apo anëtarësim, por jemi të ndëshkuar. Me këtë qeverisje kemi ngelur pa miq, e jashtë çdo tryeze ku diskutohet integrimi e prosperimi. Me Albinin ne pushtet kemi mbetur shtet me sovranitet të cunguar!”, përfundoi Musliu-Shoshi për GazetaBlic.