Lajme

‘Deklarata e Sarrazin për ‘Ballkanin e Hapur’, Lekaj: Paralajmërim për Qeverinë që të punojnë më shumë në suksesin e ‘Samitit të Berlinit’

09/14/2024 14:15
nga:Y I

Emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin ka shprehur shqetësim se nëse Samiti i Berlinit që do të mbahet më 14 tetor dështon të sigurojë një treg të përbashkët rajonal, mund të riaktualizohet ideja e “Ballkanit të Hapur”.

Sipas Sarrazin, kjo nismë është krijuar për ta anashkaluar Kosovën.

Në lidhje me këtë deklaratë të Sarrazin ka folur për “Gazeta Blic” deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj.

Lekaj tha se Sarrazin e sheh Samitin e Berlinit si platformën kryesore për bashkëpunimin rajonal ndërsa duke përmendur Ballkanin e Hapur si alternativë i njëjti sinjalizon urgjencë se vendet e rajonit mund të orientohen drejt asaj strukture.

“Së pari, Sarrazin e sheh Samitin e Berlinit si platformën kryesore për bashkëpunimin rajonal dhe integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Duke e përmendur Ballkanin e Hapur si alternativë, ai sinjalizon një ndjenjë urgjence që nëse Berlini dështon të japë rezultate konkrete dhe të qëndrueshme, vendet e rajonit mund të orientohen drejt një strukture alternative si Ballkani i Hapur”

Ai tha se kjo mund të shihet si një paralajmërim për Qeverinë e Kosovës që të punojnë më shumë në suksesin e Samitit të Berlinit.

“Ballkani i Hapur ka qenë një iniciativë e kritikuar, veçanërisht nga qeveria e Kosovës, që e sheh atë si një platformë që mund të favorizojë dominimin e vendeve të mëdha në rajon si Serbia dhe që shkon përtej agjendës së integrimit në BE. Kjo mund të shihet si një paralajmërim për qeverinë e kosovës që të punojnë më shumë në suksesin e Samitit të Berlinit, në mënyrë që të mos lihen hapësira për alternative që nuk ofrojnë të njëjtin vizion të integrimit evropian” tha Lekaj për “Gazeta Blic”.

“Nga një këndvështrim kritik, deklarata mund të interpretohet si një presion ndaj qeverisë së Kosovës që të zgjedhin midis një integrimi të vërtetë përmes platformave si Procesi i Berlinit ose të përballen me një realitet ku iniciativa rajonale si Ballkani i Hapur mund të bëhen të pashmangshme, me pasoja potenciale për pavarësinë politike dhe ekonomike të Kosovës” përfundoi deputeti i AAK-së përgjigjen e tij dhënë për “Gazeta Blic”.

Emisari Sarrazin në një intervistë dhënë për televizionin publik tha se duhet të ecim përpara që të mos rrezikohet tregu i përbashkët rajonal.

“Nëse ky samit nuk mbahet, nëse nuk sigurohet tregu i përbashkët rajonal dhe plani i madh i komisionit evropian që të ketë sukses dhe një gurthemel i kësaj do të jetë samiti më 14 tetor në Berlin, sigurisht që menjëherë vjen Ballkani i Hapur. Pra, Ballkani i Hapur është krijuar për ta anashkaluar Kosovën. Ne, kemi filluar të punojmë ashtu që Kosova të jetë në të njëjtën tryezë, me të njëjtat të drejta, me të njëjtin nivel si të tjerët. Duhet të ecim përpara, nuk mund ta lëmë gjithë rajonin që të presë për këtë bashkëpunim. Nuk mund të rrezikojmë tregun e përbashkët rajonal dhe nuk mund të ketë sukses Procesi i Berlinit. Pra nuk është në interes të Kosovës, por as tonin”, është shprehur Sarrazin raporton Gazeta Blic.

/Gazeta Blic/

Sarrazin: Nëse Samiti i Berlinit dështon të sigurojë treg të përbashkët rajonal, menjëherë vjen ‘Ballkani i Hapur’