Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka komentuar raportet Kosovë-SHBA dhe kundërpërgjigjen e presidentes Vjosa Osmani, ndaj ambasadorit Hill në Serbi, se Kosova është shumë më larg NATO-s se Serbia.
Ai në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se qeveria e presidenca kanë marrë rrugë të gabuar me kritikën ndaj SHBA-ve.
“Sa i përket qeverisë dhe presidentes mund të them se kanë marrë një rrugë të gabuar të kritikës, e sidomos të kritikës për SHBA-të, që bashkërisht e kemi ndërtuar shtetin e Kosovës dhe bashkërisht ia kemi dalë që të jemi të suksesshëm, duke na mbështetur SHBA-të dhe BE”, shprehet ai.
Lekaj vlerëson se Osmani i është kundërvënë Hillit dhe nuk do të duhej ta bënte, pasi një deklaratë e tillë sipas tij na largon nga NATO.
“Është për të ardhur çudi kur një presidente i kundërvihet ambasadorit Hill i cili e njeh mirë situatën, sepse ka qenë edhe para luftës, edhe gjatë luftës dhe ka njohuri, por ne nuk guxojmë të merremi me politikat e SHBA-ve dhe t’i kundërvihemi. Ne duhet, presidentja, duke mos e përdorur deklaratën e ambasadorit Hill, është dashur që në mënyrë tjetër të thotë që ne si Kosovë jemi të gatshëm të hyjmë në NATO dhe mos të merremi me atë që e kanë synim SHBA-të. Dhe një deklaratë e tillë nuk i shërben as sigurisë së Kosovës, as mbështetjes së SHBA-ve për anëtarësim në NATO, por na largon nga këto”, potencon deputeti i AAK-së për Gazeta Blic.
Ai kujton dhe deklaratën e Kurtit për sekretarin Blinken, teksa shton se nuk e di se për këtë po punojnë zyrtarët e lartë të shtetit.
“Dhe unë nuk e di pse merren me deklarata të SHBA-ve, të zyrtarëve të lartë. Ju e dini se si Kurti e ka quajtur sekretarin Blinken naiv dhe shumë e shumë gjëra të tjera që thuajse nuk e di për kë po punojnë dhe kujt i takojnë këta zyrtarë të lartë të shtetit tonë”, thotë Pal Lekaj./Gazeta Blic/


