Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot derisa qëndroi në veri, tha se për hapjen e urës së Ibrit po presin vendet e QUINT-it dhe KFOR-in, duke theksuar se Qeveria është e gatshme dhe se ka kryer përgatitjet e nevojshme.
“Ne jemi gati, me konsultime dhe koordinim, po i presim QUINT-in dhe KFOR-in, ne i kemi kryer punët tona, kemi bërë përgatitjet sa i përket pastrimit, mjedisit rrotull aty, edhe vlerësimit të qëndrueshmërisë në aspektin fizik dhe teknik, tashmë kanë kaluar bukur kohë që raporti preliminar thotë se ura është e qëndrueshme, besoj ajo urë duhet të hapet edhe për automjete sepse liria e lëvizjes, sundimi i ligjit dhe marrëveshja në Bruksel e kërkojnë një gjë të tillë”, tha Kurti para mediave.
Lidhur me këtë deklaratë të tij, për Gazeta Blic është deklaruar deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci.
Sipas tij, Kurti e ka konfirmuar sërish gatishmërinë për hapjen e urës, derisa dihet hezitimi i vendeve të QUINT-it.
“Kryeministri e konfirmoi edhe një herë se është për hapjen e urës. Përveç saj ai u shpreh i gatshëm që ajo të hapet. Hezitim për hapje të urës siç e dini ka pasur nga ana e shteteve të QUINT-it”, thotë deputeti.
Bajqinovci thekson se Kurti po pret që edhe QUINT-i e KFOR-i të bëhen gati dhe ura të hapet.
“E, në kuadër të konsultimeve dhe koordinimeve që ka, Kryeministri sot tha se po pret që edhe QUINT edhe KFOR-i të bëhen dhe të jenë gati ashtu që ura të hapet dhe lëvizja e lirë dhe e plotë të mundësohet”, deklaron deputeti Mefail Bajqinovci./Gazeta Blic/
“Kurtin e Osmanin interesat i kanë bashkuar, interesat i kanë ndarë”


