Kryetari i PSD-së, Dardab Molliqaj i ka reaguar kryeministrit Kurti, pas deklaratave që të ndryshohen udhëheqësitë e sindikatave.
Ai ka shkruar se Kurti ka mendësi totalitare dhe synimi i tij është edhe kontrolli i sindikatave.
”Deklarata e Kurtit mbi nevojën e ndryshimit të udhëheqjes së sindikatave nuk janë asgjë më pak se ambicie totalitare”, ka shkruar Molliqaj.
Postimi i plotë:
Një mendësi totalitare nuk e do pushtetin për të qeverisur, por për të kontrolluar. Jo vetëm qeverinë dhe agjencionet qeveritare; jo vetëm institucionet në tërësi, përfshirë gjykatat dhe institucionet e pavarura; por, mbi të gjitha, për të kontrolluar shoqërinë.
Deklarata e Kurtit mbi nevojën e ndryshimit të udhëheqjes së sindikatave nuk janë asgjë më pak se ambicie totalitare. Sindikatat mund të kenë nevojë për ndryshim, por kjo është çështje e punëtorëve dhe aspak e Qeverisë.
Pas kontrollit shoqëror, paranoja do ta shohë rrezikun edhe në ëndrrat tona. Do të na duhet t’i lajmërojmë ato në Tabir Sarajin e Albin Kurtit.