Lajme

Deklarata e Hill/ VV kundër Asociacionit si parakusht i marrëveshjes – PDK e Nisma kritika Kurtit: Vetëm dorëheqje të ndan nga Asociacioni

05/17/2023 14:07
nga:G B

Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, ka thënë se zgjidhja e çështjeve teknike në politikë nuk është për njerëzit që duan zgjidhje të shpejta, duke thënë se serbët në veri të Kosovës duhet ta kenë të zgjidhur çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Ai ka thënë se të gjithë e kuptojnë se situata është e vështirë në dialog, por ka treguar se në anën tjetër është e nevojshme të formohet Asociacioni i Komunave serbe.

“Ka një vetëdije në mesin e politikëbërësve amerikanë se serbët në Mitrovicën e Veriut dhe Kosovë, në realitet, duhet ta kenë këtë çështje të zgjidhur përmes asociacionit të Komunave serbe”, tha Hill.

Hill shtoi se me këtë çështje, përveç Evropës, po merren edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, prandaj rezultati përfundimtar, sipas tij, është Asociacioni.

“Është një çështje me të cilën po merren edhe evropianët edhe SHBA-ja, dhe megjithëse nuk do të ketë përparim në çdo takim, në fund do të kemi një Asociacion të Komunave Serbe”, tha Hill.

Lidhur me këtë, Gazeta Blic është interesuar të marrë një qëndrim nga Qeveria e Kosovës, po ashtu edhe për planin kroat për Asociacionin të propozuar nga kryeministri Kurti, nëse ai do të trajtohet nga BE, por nuk janë përgjigjur.

Ndërsa, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batusha, thotë për Gazeta Blic se Asociacioni nuk mund të trajtohet si parakusht për zbatim të marrëveshje, pasi e humb logjikën e hirearkinë.

“Asociacioni nuk mund te trajtohet si parakusht për zbatim të mëtutjeshëm të marrëveshjes së Ohrit. Sepse kjo humb logjikën e marrëveshjes, rendin hirearkinë të zbatimit të saj dhe krijon bazë për mos barazi e shkelje të reja nga pala serbe”, thekson deputeti.

Batusha potencon se Kushtetuta nuk lejon që të ketë Asociacion me kompetenca të nivelit lokal apo qendror.

“Asociacioni si bashkim i grupeve që avokojnë dhe lobojnë për interesa të caktuara të atij grupi, është i lejuar me Kushtetutën tonë dhe me ligjet në fuqi. Ajo çka nuk është e pranueshme për Kushtetutën dhe ligjet tona, tanimë është e qartë: nuk mund të merren kompetenca që i takojnë organeve të tjera të nivelit lokal apo qendror”, shprehet ai për Gazeta Blic.

Deputeti i VV-së thotë se modeli i prezantuar nga grupi punues është antikushtetues dhe se si bazë për diskutime të mëtejme do të duhej të merrej propozimi i kryeministrit Kurti.

“Andaj, modeli i prezantuar nga grupi punues është anti-kushtetues. Është në kundërshtuam edhe me deklaratat apo qëndrimet e faktorit ndërkombëtar. Prandaj, baza për diskutime të mëtejme do duhej të jetë propozimi i Kryeministrit tonë si model i aplikuar në një shtet të BE-së, për të njëjtin komunitet dhe në një vend ish-jugosllav. Pra, ka përparësi të shumta, bazë të mirë dhe logjik të rrjedhshme”, deklaron Agon Batusha për Gazeta Blic.

Ndërsa, Ariana Musliu Shoshi, deputete e PDK-së, thotë për Gazeta Blic se Kurtin mund ta ndajë nga Asociacioni vetëm dorëheqje.

“Albin, veç dorëheqja mundet me të nda nga asociacioni! Marrë parasysh faktin që nuk ke shpëtim nga kauza që e abuzove ndër vite e që të solli në pushtet, dërgo propozim me parimet”, deklaron ajo.

Deputetja thotë se të gjithë po e mbështesin që të jetë Asociacion pa kompetenca ekzekutive, pa qenë pushtet i tretë, pa u cenuar Kushtetuta e Kosovës.

“Të gjithë po të mbështesim. Pra, asociacion PA kompetenca ekzekutive, PA u shndërruar në pushtet të tretë, PA cenuar karakterin unitar të Republikës, e gjithmonë duke mbrojtur kushtetutshmërinë e Republikës së Kosovës”, thekson Musliu-Shoshi.

Ajo ka kërkuar që Kurti “të paktën një herë të tregohet i përgjegjshëm para të ardhmes së fëmijëve tanë e funksionimit të shtetit tonë”.

Në anën tjetër, Bilall Sherifi nga Nisma Socialdemokrate, thotë se Asociacioni duhet të jetë zgjidhje për të gjithë serbët e Kosovës dhe jo vetëm të veriut.

Ai për Gazeta Blic thekson se nëse ka një zhvillim të ri lidhur me këtë çështje, kryeministri duhet ta shpjegojë para qytetarëve.

“Asociacioni është menduar të jetë zgjidhje për të gjithë serbët e Kosovës në aspektin e bashkëpunimit në kuadër kompetencave komunale në Komunat ku ata jetojnë, por jo si zgjidhje vetëm e “çështjes së serbëve të veriut”. Nëse nuk është ndonjë keqinterpretim i deklaratës së tij, atëherë kemi të bëjmë me një zhvillim të ri për të cilin kryeministri Kurti duhet ta shpjegojë para qytetarëve se si erdhi deri në këtë pikë”, shprehet ai.

Se si mund të jetë modeli i Asociacionit, Sherifi thotë se nuk e di, derisa bisedimet kanë qenë jo transparente që nga fillimi.

“Nuk e di se si do të jetë asociacioni, as se çfarë modeli do të jetë. Bisedimet prej fillimit kanë qenë jo transparente prandaj nuk mund të them asgjë sa i përket kësaj”, deklaron Bilall Sherifi./Gazeta Blic/