Lajme

Deklarata e Hill/ Agusholli: Padrejtësi ndaj Kosovës, Serbisë s’po i bëhet presion që ta njohë Kosovën

06/13/2024 14:57
nga:G B

Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill ka deklaruar se njohja e Kosovës nuk do të jetë kusht për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.

Ndërsa, Bashkimi Evropian ka thënë se Serbia s’do të bëhet anëtare pa normalizim të marrëdhënieve me Kosovën.

Lidhur me këtë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Gramos Agusholli, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se s’është hera e parë që Kosovës i bëhet padrejtësi nga ndërkombëtarët.

“Nuk është hera e parë që Kosovës i bëhet padrejtësi në rrafshin ndërkombëtar. Unë personalisht kam reaguar disa herë dhe kam potencuar që shteti jonë është në disfavor konstant në bisedime”, shprehet ai.

Sipas deputetit, duhet të dihet se çka konsiderohet ‘normalizim i marrëdhënieve’ dhe kush e përcakton atë.

“Së pari, çfarë konsiderohet ‘normalizim i marrëdhënieve’, kush e përcakton ‘normalizimin e marrëdhënieve’ dhe kush në fund e jep verdiktin se tanimë ‘marrëdhëniet janë normalizuar’? Krejt këto, në syrin tim, kanë qenë dhe janë shumë ambiguitive”, thotë Agusholli për Gazeta Blic.

Ai vlerëson se Serbisë nuk po i bëhet presion që ta njohë Kosovën, duke shtuar se kjo padrejtësi duhet adresuar me vendosmëri nga faktori ndërkombëtar.

“Ndërsa në anën tjetër, shumë pak bëhet presion ndaj Serbisë për pranimin e Kosovës. Ata nuk janë të interesuar fare për njohjen e shtetit tonë. A do të ketë lehtësime gjatë rrugës? Ashtu si kanë shkuar gjërat deri tash, i kam dyshimet e mia.  Kjo situatë e padrejtë duhet adresuar me më shumë vendosmëri nga faktori ndërkombëtar, për të siguruar një proces të drejtë dhe të balancuar të normalizimin e marrëdhënieve”, deklaron deputeti i VV-së, Gramos Agusholli./Gazeta Blic/

Hill: Serbisë s’do t’i kërkohet njohja de jure e Kosovës për të hyrë në BE

BE i reagon ambasadorit Hill: Serbia nuk mund të bëhet anëtare pa normalizimin e raporteve me Kosovën