Lajme

Dejanoviq dënohet me 8 muaj burgim dhe 10 mijë euro gjobë për sulm ndaj KFOR-it dhe Policisë së Kosovës

10/16/2024 12:21
nga:Sh R

Gjykata Themelore e Prishtinës e ka dënuar me 8 muaj burgim dhe 10 mijë euro gjobë të akuzuarin Lazar Dejanoviq, i cili ngarkohej nga Prokuroria Speciale për huliganizëm dhe sulm ndaj personit zyrtar në protestat e dhunshëm në veri të vendit më 2023-n.

Atij do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Pasi që palët thanë se nuk do të ushtrojnë ankesë lidhur me lartësinë e dënimit, gjyqtari Valon Kurtaj e shpalli vendimin mbi dënimin që tash të formës së prerë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktakuza ndaj të pandehurit Dejanoviq është ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 15 tetor 2024.

Sipas aktakuzës i pandehuri më datë 29.05.2023, afër objektit të Komunës së Zveçanit, në koordinim me të pandehur të tjerë të nacionalitetit serb nga Kosova dhe Serbia, përmes përdorimit të dhunës i kanë sulmuar dhe seriozisht i kanë kanosur ushtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it, si dhe disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës.