Lajme

Dëgjohen edhe katër dëshmitarë në gjykimin për krim të organizuar me kontrabandim me migrantë

09/19/2023 13:44
nga:N M

Në rastin ku për krim të organizuar lidhur me veprën penale të kontrabandimit me migrantë po akuzohen Florim dhe Florent Krasniqi, Taulant Bilalli, Sadat Murati, Samed Murati, Haki Maloku, Bekim Hasani dhe Izet Koplinger, janë dëgjuar edhe katër dëshmitarë.

Seanca e sotme ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit Arian Menxhiqi i cili duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores speciale Habibe Salihu ka deklaruar se është pajisur me patentë shofer në vitin 2011.

I njëjti tha se, nuk kishte qenë i informuar që të dhënat e tij të patentë shoferit ishin përdorur nga dikush tjetër deri sa ishte intervistuar nga Policia.

“Po kur jam shku në Polici e kam pa që të dhënat janë të mijat por fotografia është e dikujt tjetër, ndërsa në foto ka qenë kunati i motrës”, tha dëshmitari Menxhiqi.

Menxhiqi tha se e kishte pyetur atë për arsyen e përdorimit të të dhënave të tij e që ai iu ishte përgjigjur se “t’i kom përdor se më ka vyjt leja”.

Ai tha se këto të dhëna ishin marrë pa dijeninë e tij dhe se këtë patentë shofer ia kishte prezantuar Policia në kompjuter.

Tutje, dëshmitari i radhës Blerim Potera ka deklaruar se nga personat e akuzuar në sallë e njeh vetëm Sedatin dhe Hakin si bashkëvendas në Podujevë.

Ndërkaq, i pyetur se a e njeh personin Shaqir Gashi, dëshmitari Potera tha se me të njëjtin kishte ndejtur para 4-5 viteve por që nga ajo kohë më nuk ka kontaktuar me të.

Më pas, ai ka sqaruar se të akuzuarin Haki e kishte telefonuar për të nxjerrë një pasaportë për Shaqirin pasi që sipas tij Haki Maloku i kishte rregulluar atij edhe më herët dokumentet pasi kishte qenë njohës i gjuhës serbe dhe taksist.

Dëshmitari tha se edhe sot e atë ditë nuk di që pasaportat kanë qenë të falsifikuara dhe se Shaqiri ka pasur të rregullojë dokumente të Serbisë.

Ndërkaq, lidhur me pagesën për këto dokumente, ai tha se kanë paguar vetëm taksat dhe shërbimin e taksit për vajtje-ardhje.

Pas kësaj, i ballafaquar me dëshminë e tij të dhënë në Polici se kishte thënë se për këto dokumente kishte paguar shumën 3 mijë euro, dëshmitari Potera tha se asnjëherë nuk ka dhënë euro për këtë çështje por vetëm denar për çështjen e taksës.

Më pas, seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit Emin Tafa i cili deklaroi se nga të akuzuarit në sallë e njeh vetëm Florent dhe Florim Krasniqin si klient të lokalit ku ka punuar.

Sipas tij, ai asnjëherë nuk kishte pasur kontakt me të njëjtit dhe se ata i kishte njohur shumë më vonë prej këtij rasti.

I pyetur se a kishte biseduar ndonjëherë me dikë për rregullimin e ndonjë dokumenti, dëshmitari tha se personi që ka pasur të ia rregulloj patentë shoferin francez, i kishte marrë 300 euro por se nuk ia kishte dorëzuar dokumentin asnjëherë.

Ai tha se këtë person e kishte njohur në lokalin e muzikës “Pentagon” ku kishte punuar.

Ndërkaq, dëshmitari i radhës Naser Miftari tha se nga të akuzuarit e njeh Samedin dhe Sadatin, të cilin e ka dhëndër.

Ai ka sqaruar se përveç dokumenteve të Republikës së Kosovës, ishte pajisur edhe me letërnjoftim të Serbisë në vitin 2015.

Dëshmitari Miftari tha se Sadatit i kishte dhënë letërnjoftimin e tij për të shikuar nëse shteti i Serbisë do të ndante 100 euro edhe për të në kohën e pandemisë.

Më pas, ai tha se dokumentin e tij ia kishte dërguar vëllai përmes rrjetit social “Viber”, duke pohuar se kishte marrë ato 100 euro në Graçanicë.

Më pas, prokurorja speciale Salihu është tërhequr nga dëgjimi i dëshmitarëve Hanumshahe Hoxha dhe Çlirim Beqiri.

Seancat e radhës lidhur me këtë çështje janë caktuar më 13,14 dhe 15 nëntor 2023.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 27 tetor 2021, Florim Krasniqi, Florent Krasniqi, Taulant Bilalli, Sadat Murati, Samed Murati, Haki Maloku, Bekim Hsani dhe Izet Koplinger, nga muaji mars 2020 deri më 24 mars 2021, duke vepruar si grup i organizuar kriminal, kanë kryer veprën penale të kontrabandimit me migrantë.

Sipas aktakuzës, grupi i udhëhequr nga Florim Krasniqi i cili ka krijuar laboratorin për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara, në role të ndara si anëtarë të grupit kriminal përmes të pandehurve Florent Krasniqi, Haki Maloku, Izet Koplinger, Sadat Murati, Samed Murati, kanë siguruar persona që kishin për qëllim migrimin nëpër vende të ndryshme të Evropës.

Në aktakuzë thuhet se përmes Bekim Hasanit kanë dërguar këto dokumente tek qytetarët e ndryshëm, përmes postave të shpejta apo edhe vet personalisht, ndërsa i akuzuari Taulant Bilalli në bashkëveprim me të pandehurin Florim Krasniqi, kanë falsifikuar dokumente të ndryshme, ashtu që me qëllim që vetes t’i sjellin dobi pasurore të kundërligjshme deri në 4 mijë euro për falsifikimin e një dokumenti kanë kontrabanduar shtetas të Republikës së Kosovës, fillimisht kanë gjetur shtetas që kanë dashur të migrojnë në vendet e ndryshme si Rumani, Itali, Francë, Mbretëri të Bashkuar, Zvicër, Kroaci, Slloveni, Spanjë, etj.

Tutje në aktakuzë thuhet se pas sigurimit të lëndës së parë për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara, kanë bërë prodhimin, furnizimin apo sigurimin e dokumenteve të falsifikuara, (të rrejshme) të udhëtimit ose të identifikimit, leje qëndrime të ndryshme, me qëllim të mundësimit të kontrabandimit me emigrantë, në atë mënyrë që fillimisht u kanë marrë të dhënat, kanë prodhuar dokumentet e ndryshme si pasaporta, letërnjoftime, patentë shofer të shteteve të ndryshme si Rumanisë, Italisë, Francës, Mbretërisë së Bashkuar, Zvicrës, Kroacisë, Sllovenisë, Spanjës, etj; por dhe dokumente të ndryshme të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, të pandehurit Florim dhe Florent Krasniqi, në Prishtinë, në lagjen “Arbëria” në objektin “Ambasador” gjatë vitit 2019 e tutje, në vazhdimësi dhe në bashkëveprim me të pandehurit e tjerë, pasi e kanë siguruar lëndën e parë me qëllim të falsifikimit të dokumenteve kanë krijuar një laborator për prodhimin e tyre.

I pandehuri Izet Koplinger, në bashkëveprim edhe me të pandehurit e tjerë me qëllim të përfitimit material në mënyrë të kundërligjshme, ka ndërmjetësuar në falsifikimin e dokumenteve të veturës ku çmimet për këtë kanë qenë 2 – 3 mijë euro.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të pandehurit Sadat Murati dhe Samend Murati, në bashkëveprim edhe me të pandehurit e tjerë, vazhdimisht janë marrë me falsifikimin e dokumenteve, me qëllim të përfitimit për vete, qytetarëve të ndryshëm u ka siguruar dokumente të falsifikuara, me qëllim të kontrabandimit, ashtu që për falsifikimin e një patentë shoferi slloven kanë përfituar shumën prej 250 euro, për përkthimin e një autorizimi kanë përfituar shumën prej 850 euro.

Po ashtu, aktakuza thotë se kanë falsifikuar vërtetimin për COVID-19, për falsifikimin e dokumentit gjerman me vizën e Sllovenisë apo Kroacisë.

Izet Koplinger po ashtu akuzohet për armëmbajtje pa leje./BetimipërDrejtësi

BE i quan “pretendime te pabaza” kritikat e Kurtit për Lajçakun