Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të hënën janë dëgjuar dy dëshmitarë në gjykimin ndaj Florim dhe Florent Krasniqit, Taulant Bilallit, Sadat dhe Samed Muratit, Haki Malokut, Bekim Hasanit dhe Izet Koplinger, të akuzuar për krim të organizuar lidhur me veprën penale të kontrabandimit me migrantë.
Florim dhe Florent Krasniqi, Taulant Bilalli, Sadat dhe Samed Murati, Haki Maloku, Bekim Hasani dhe Izet Koplinger akuzohen se si grup kriminal kishin falsifikuar dokumente të udhëtimit me qëllim të mundësimit të migrimit të shtetasve të Republikës së Kosovës në vendet si Rumani, Francë, Itali, Mbretëri të Bashkuar, Zvicër, Kroaci, Slloveni, Spanjë, etj.
I akuzuari Koplinger, ngarkohet edhe me veprën penale të armëmbajtjes pa leje, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Dëshmitari Benjamin Kutleshi tha se të akuzuarin Haki Maloku e njeh dhe ka një lidhje miqësore me të mirëpo tha se nuk e dinë se me çfarë merret ai.
I pyetur nga prokurorja speciale Habibe Salihu, se a ka pasur ndonjëherë ndonjë kërkesë që të pajiset me ndonjë dokument, dëshmitari Kutleshi tha se ai ka pasur nevojë për një patentë shofer të Serbisë.
Ai tha se nuk kishte kërkuar nga Hakiu që të pajiset me këtë dokument por vetëm ia kishte kërkuar telefonin e tij të cilin tha se e kishte me numër të Serbisë që të kontaktonte me një klient në Novi Pazar në mënyrë që t’ia dërgonte të dhënat e një punëtori të tij Arian Menxhiqit.
“Një myshteri është në Novi Pazar boshnjak, i kam thënë atij me ma rregullu e ai ma ka rregullu gabimisht të Kosovës, emri i tij është Adnan Sakic. Unë nuk e kam shfrytëzuar kurrë në jetë këtë patentë. Mua lejen time personale ma kanë marrë Policia e Kosovës e thash hajt te boj njo të Serbisë dhe ta përdori unë atë patentë për veti në emër të punëtorit”, tha dëshmitari Kutleshi.
I pyetur se çfarë të dhënash i kishte dërguar, ai tha se kishte dërguar fotografinë dhe të dhënat e Arian Menxhiqit në mënyrë që të voziste lirshëm në Serbi pasi që për arsye të biznesit udhëton çdo të dytën ditë për Serbi, Budapest, Itali e Poloni.
Sipas tij, marrëveshja për pagesën e këtij dokumenti ka qenë 500 euro por pasi që patentë shoferi ishte bërë gabimisht me shtetësi të Kosovës dhe jo të Serbisë nuk kishte bërë kurrfarë pagese.
Tutje, duke u përgjigjur në pyetjen e prokurores speciale Salihu se a kishte qenë në dijeni punëtori i tij se ia kishte shfrytëzuar të dhënat, dëshmitari Kutleshi tha “jo ai nuk kishte qenë në dijeni”.
Ai tha se lidhur me këtë patentë shofer kishte dhënë edhe një deklaratë në polici por që Policia e Kosovës sipas tij, i kishin bërë presion duke i thënë se “vetëm Hakia se tjetër kush s’ka kush ta bon”.
“Më thanë se duhet me pranu se e ke bërë te Hakia edhe më kanë detyru me gjet patentë shoferin ku osht e ku sosht. Unë e kam thirr grun, ka shku në magazinë, e ka gjet edhe e ka dorëzuar në stacion se nuk më lirojshin me dal nga aty”, shtoi ai.
I pyetur nga prokurorja Salihu, se për çfarë arsye në polici kishte deklaruar një shumë tjetër e sot po deklaron një shumë tjetër, dëshmitari Kutleshi tha se policët e kishin pyetur se a ia kishin marrë 150 apo 200 euro, “ e unë thash hajt masi po thoni 200, hajt 200”.
Tutje, duke u përgjigjur në pyetjet e anëtarit të trupit gjykues, gjykatësit Valon Kurtaj se sa herë është takuar me të akuzuarin Haki Maloku, dëshmitari Kutleshi tha se me të është takuar pothuajse çdo të dytën apo të tretën ditë në Podujevë dhe për herë të fundit tha se e kishte takuar para se i njëjti të shkonte në burg.
Ai sqaroi se me klientin nga Novi Pazari njihet pasi që ai çdo të premte i sjellë mall dhe se porositë i bënë përmes e-mailit.
I pyetur nga gjykatësi Kurti se meqenëse ai vie çdo të premte për të sjellë mall dhe me të komunikon vetëm përmes e-mailit, për çfarë arsye asaj radhe kishte komunikuar me të përmes numrit të Hakis, dëshmitari Kutleshi tha se të premten kur kishte ardhur klienti në magazinën e tij, ai nuk kishte qenë aty por ndodhej jashtë Kosovës, me ç’rast tha se kishte lënë një numër kontaktues të telefonit.
“Kur kam shku unë në Podujevë të nesërmen motra ime më tha që qet numër ta ka lon punëtori Naseri, unë e kam marrë numrin e kam lënë aty e se kam dit për çka është, mas ni kohe ka ardh Ariani e më tha që po mujke me ta rregullu patentë shoferin e Serbisë edhe më ka ra në mend e pastaj përmes kompjuterit kam hy në faqe të ATK-së dhe i kam nxjerrë të dhënat e Arianit dhe i kam marr i kam dërgu me numër të Hakisë”, tha dëshmitari Kutleshi.
I pyetur se për çfarë arsye i kishte përdorur të dhënat e punëtorit të tij e jo ato personale, dëshmitari Kutleshi tha se nuk e kishte ditur se kjo përbënë vepër penale.
Ndërsa, në pyetjen e kryetarit të trupit gjykues, gjykatësi Kujtim Krasniqi se a e kishte përdorur edhe më herët telefonin e Hakiut, dëshmitari Kutleshi tha se jo asnjëherë duke shtuar se Hakiu nuk e ka njohur personin nga Novi Pazari.
Po ashtu, ai shtoi se Policia e Kosovës nuk e kishin rrahur apo kërcënuar për tu deklaruar ashtu si në procesverbal por vetëm që kanë insistuar që ta pranonte se atë punë ia kishte kryer Hakiu dhe e kishin mbajtur 4 or duke i bërë pyetje.
Seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarin të radhës Xhevahir Ahmeti, i cili deklaroi se mbetet pranë deklaratës së dhënë në polici më 22 tetor 2021 duke shtuar se atë deklaratë e ka dhënë në mënyrë vullnetare dhe pa asnjë presion.
Ai tha nga të akuzuarit e njeh vetëm Sadatin si figurë por që nuk ka biseduar asnjëherë me të për asnjë çështje.
I pyetur nga prokurorja Salihu, se a kishte parë në polici ndonjë dokument me të dhënat e tij personale, dëshmitari Ahmeti tha se po kishte parë atë dokument i cili kishte qenë me fotografi të Sadatit por me të dhëna personale të tij.
“Unë nuk kam pas asnjë njohuri deri sa kam shku në polici dhe më kanë njoftuar ata, aty ma kanë treguar vetëm fotografinë e cila nuk ka qenë e imja por të dhënat e tjera kanë qenë të mijat. Fotografin e njofta kush është se e kam katunar, në atë foto ishte Sadati”, tha dëshmitari.
Ai shtoi se asnjëherë nuk kishte kontaktuar me Sadatin për ta pyetur lidhur me këtë çështje.
Ndërsa në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit Sadat Murati, avokatit Blerim Cakolli se fotografia që e kishte parë a kishte qenë fotografi së bashku me një dokument identifikimi si pasaportë apo letërnjoftim apo vetëm foto telefoni, dëshmitari Ahmeti tha se ajo kishte qenë një fotografi e një dokumenti të fotografuar në fotokopje dhe se nuk ishte dalluar shumë.
Më pas, prokurorja speciale Habibe Salihu propozoi që pasi që dëshmitarët Faik Beka dhe Hanumshahe Hoxha gjenden jashtë vendit të lexohen deklaratat e tyre të dhëna në polici.
Por, mbrojtësit e të akuzuarve Muhamet Muja, Bekim Hasani, Izet Koplinger dhe Florent Krasniqit kundërshtuan leximin e këtyre deklaratave me arsyetimin se kjo është në kundërshtim me nenin 123 par.3 pasi që deklaratat e dhënë në procedurën paraprake nuk mund të jenë prova në shqyrtim gjyqësor duke shtuar se përkundër kohës që do të merr ky proces gjyqësor edhe vështirësive që i ka gjykata, të bëhet përpjeke që të sigurohet prezenca e dëshmitareve.
Me deklarimet e tyre, u pajtuan edhe të akuzuarit dhe mbrojtësit tjerë, e që për këtë trupi gjykues tha se do të vendos nëse do të lexohen deklarimet e tyre ose jo.
Ndryshe në këtë seancë nuk ka qenë i pranishëm dëshmitari Faik Beka, për të cilin gjykatësi Krasniqi në seancën e kaluar kishte urdhëruar sjelljen e tij me shoqërim por që për të njëjtin është njoftuar nga Policia se nuk jeton në këtë adresë por jeton në Zvicër dhe nuk ka ndonjë numër kontaktues.
Po ashtu, nuk ishte i pranishëm as dëshmitari Arian Menxhiq për të cilin gjykata kishte prova që është ftuar në mënyrë të rregullt mirëpo mos prezencën e tij nuk e ka arsyetuar.
Ndërsa, për mungesën e dëshmitarit Agron Uka, gjykatësi Krasniqi tha se gjykata ka njoftuar komandantin e stacionit policor në Podujevë se nuk është vepruar sipas urdhëresës së mëparshme dhe deri më tani sipas tij stacioni policor në Podujevë nuk ka njoftuar gjykatën për veprimet në lidhje me zbatimin e kësaj urdhërese.
Tutje, gjykatësi Krasniqi konstatoi edhe mungesën e dëshmitarit Labinot Blaku për të cilin tha se gjykata ka prova se është ftuar në mënyrë të rregullt por që kjo ftesë gabimisht i ka shkuar avokatit Labinot Buzuku i cili sot e ka dorëzuar në gjykatë ftesën e pranuar gabimisht, ndërsa për dëshmitarin Rinor Bjondegart tha se gjykata ka prova se është ftuar në mënyrë të rregullt por që në flet kthesë tha se është konstatuar se adresa është jo e plotë.
Po ashtu, në këtë seancë nuk ishte e pranishme as dëshmitarja Hanumshahe Hoxha e cila sipas gjykatësit Krasniqi është ftuar në mënyrë të rregullt por në flet kthesë është konstatuar se në këtë datë gjendet për shërim në Turqi.
Pasi që nuk kishte dëshmitarë të tjerë për vazhdimin e kësaj seance, të radhës u caktuan më 28 dhe 31 tetor 2022.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 27 tetor 2021, Florim Krasniqi, Florent Krasniqi, Taulant Bilalli, Sadat Murati, Samed Murati, Haki Maloku, Bekim Hasani dhe Izet Koplinger, nga muaji mars 2020 deri më 24 mars 2021, duke vepruar si grup i organizuar kriminal, kanë kryer veprën penale të kontrabandimit me migrantë.
Sipas aktakuzës, grupi i udhëhequr nga Florim Krasniqi i cili ka krijuar laboratorin për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara, në role të ndara si anëtar të grupit kriminal përmes të pandehurve Florent Krasniqi, Haki Maloku, Izet Koplinger, Sadat Murati, Samed Murati, kanë siguruar persona që kishin për qëllim migrimin nëpër vende të ndryshme të Evropës.
Në aktakuzë thuhet se përmes Bekim Hasanit kanë dërguar këto dokumente tek qytetarët e ndryshëm, përmes postave të shpejta apo edhe vet personalisht, ndërsa i akuzuari Taulant Bilalli në bashkëveprim me të pandehurin Florim Krasniqi, kanë falsifikuar dokumente të ndryshme, ashtu që me qëllim që vetes t’i sjellin dobi pasurore të kundërligjshme deri në 4 mijë euro për falsifikimin e një dokumenti kanë kontrabanduar shtetas të Republikës së Kosovës, fillimisht kanë gjetur shtetas që kanë dashur të migrojnë në vendet e ndryshme si Rumani, Itali, Francë, Mbretëri të Bashkuar, Zvicër, Kroaci, Slloveni, Spanjë, etj.
Tutje në aktakuzë thuhet se pas sigurimit të lëndës së parë për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara, kanë bërë prodhimin, furnizimin apo sigurimin e dokumenteve të falsifikuara, (të rrejshme) të udhëtimit ose të identifikimit, leje qëndrime të ndryshme, me qëllim të mundësimit të kontrabandimit me emigrantë, në atë mënyrë që fillimisht u kanë marrë të dhënat, kanë prodhuar dokumentet e ndryshme si pasaporta, letërnjoftime, patentë shofer të shteteve të ndryshme si Rumanisë, Italisë, Francës, Mbretërisë së Bashkuar, Zvicrës, Kroacisë, Sllovenisë, Spanjës etj; por dhe dokumente të ndryshme të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, të pandehurit Florim dhe Florent Krasniqi, në Prishtinë, në lagjen “Arbëria” në objektin “Ambasador” gjatë vitit 2019 e tutje, në vazhdimësi dhe në bashkëveprim me të pandehurit e tjerë, pasi e kanë siguruar lëndën e parë me qëllim të falsifikimit të dokumenteve kanë krijuar një laborator për prodhimin e tyre.
I pandehuri Izet Koplinger, në bashkëveprim edhe me të pandehurit e tjerë me qëllim të përfitimit material në mënyre të kundërligjshme, ka ndërmjetësuar në falsifikimin e dokumenteve të veturës ku çmimet për këtë kanë qenë 2 – 3 mijë euro.
Gjithnjë sipas aktakuzës, të pandehurit Sadat Murati dhe Samend Murati, në bashkëveprim edhe me të pandehurit e tjerë, vazhdimisht janë marrë me falsifikimin e dokumenteve, me qëllim të përfitimit për vete, qytetarëve të ndryshëm u ka siguruar dokumente të falsifikuara, me qëllim të kontrabandimit, ashtu që për falsifikimin e një patentë shoferi slloven kanë përfituar shumën prej 250 euro, për përkthimin e një autorizimi kanë përfituar shumën prej 850 euro.
Po ashtu, aktakuza thotë se kanë falsifikuar vërtetimin për COVID-19, për falsifikimin e dokumentit gjerman me vizën e Sllovenisë apo Kroacisë.
Izet Koplinger po ashtu akuzohet për armëmbajtje pa leje.


