Sot u mbajt Kuvendi i 13-të Zgjedhor i Forumit të Gruas së LDK-së në Gjilan, kuvend që ia vazhdoi edhe një mandat kryetares së Forumit të Gruas, Valentina Bunjaku-Rexhepi.
Bunjaku-Rexhepi, falenderoi për besimin delegatet dhe aktivistet e këtij forumi, duke shprehur mirënjohjen e saj të thellë për kontributin e të gjitha zonjave e zonjushave që nga fillimet e Forumit të Gruas e deri në ditët e sotme.
“Gratë janë shtyllë e familjes dhe shoqërisë”- tha Bunjaku- Rexhepi para të pranishmeve.
Natyrisht, ky kuvend nuk kaloi pa u përshendetur nga i pari i LDK-së në Gjilan dhe nënkryetari i parë i LDK-së, Lutfi Haziri.
Haziri uroi gratë e LDK-së në Gjilan për procesin zgjedhor që kanë bërë tash e një muaj nëpër nëndegë, duke kulmuar me një kuvend madhështor në nivel të degës.
“Gratë meritojnë dhe duhet të synojnë përfaqësim mbi 30%”- tha Haziri para grave gjilanase, duke shprehur falenderim për gratë e vendit të tij, që i kanë dhënë besim për mbi tri dekada.
Ai paralajmëroi se me 28 maj do mbahet edhe një kuvend pune i rinisë së LDK-së, e nga mesi i qershorit të përfundohet procesi zgjedhor i degës me kuvendin e përbashkët të strukturave.


