Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren ka dënuar ashpër, siç ka thënë, “kërcënimet e shefit të kabinetit të Komunës së Prizrenit Nehat Elshani ndaj zyrtarëve të Komunës së Prizrenit”.
“Është kërcënuar fizikisht dhe fyer rëndë zyrtarja e Drejtorisë së Urbanizmit XH.GJ. nga shefi i kabinetit te Kryetarit të Komunës, i cili së bashku me Kryetarin Shaqir Totaj kërkonin të jepej leje ndërtimi një objekti shumëkatësh në lagjen Bazhdarana jashtë rregullave urbanistike dhe ligjeve në fuqi”, thuhet në reagimin e degës së VV në Prizren.
Më tutje në reagim u theksua se “shërbyesit civil dhe zyrtarët profesional të Komunës së Prizrenit veprojnë konform ligjeve dhe cfardo kërcënimi i tyre për t’i detyruar të veprojnë në kundërshtim me ligjin paraqet vepër penale”.
“Kjo formë e ushtrimit të pushtetit nga PDK nuk është e re. Dhuna dhe korrupsioni janë natyrë e pandryshushme e saj. Kërcënimet dhe shantazhet ndaj zyrtarëve të Komunës vijnë si rezultat i pa aftësisë dhe nevojës së pashtershme të tyre për korrupsion dhe abuzim. Ky primitivizëm në qeverisje nuk është i pranueshëm për qytetarët e Prizrenit. Ftojmë organet e drejtësisë të hetojnë rastin dhe veprojnë menjëherë sipas ligjit!”, thuhet në reagim.



