Lajme

Dega e VV-së në Prishtinë: NPB-ja po kurdis marrëveshje me investitorët privatë

06/26/2021 12:42
nga:M K

Lëvizja Vetëvendosje qendra në Prishtinë është duke akuzuar zyrtarët e Ndërmarrjes Publike Banesore se kanë kurdisur një marrëveshje me investitorët privat që pronat publike të ofrohen për ndërtime të larta.

Këshilltari komunal në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Egzon Azemi, në një konferencë për media ka thënë se kjo ndërmarrje po tenton që ta japë parcelën komunale për ndërtuesit e komplekseve banesore.

“Kjo ndërmarrje përmes bordit të drejtorëve dhe kryeshefit ekzekutiv me vendim të aksionarëve po tenton që të jap parcelën komunale për ndërtuesit e komplekseve banesore dhe nga gjitha ajo pronë komunës do t’i mbetet vetëm 30%“, ka thënë ai.

“Prona gjendet në lagjen Lakrishtë ngjitur me rrethrotullimin në hyrje të kësaj lagje që lidh kryeqytetin me magjistralen Prishtinë Mitrovicë dhe me magjistralen Prishtinë-Fushë Kosovë“, ka shtuar Azemi.

Ai ka thënë se cilido vendim i cili merret nga kjo ndërmarrje është i paligjshëm ngase nuk është diskutuar për këtë çështje në publik dhe as në Kuvendin Komunal të Prishtinës.

“Pozicioni i kësaj parcele është i favorshëm dhe jo rastësisht është duke u tentuar të tjetërsohet. Për pronat publike vendos Kuvendi Komunal dhe jo aksionarët” ka thënë ai.

Azemi ka ftuar prokurorinë që të reagojë ndaj këtyre shkeljeve.