Lajme

Dega e Listës ‘Guxo’ në Ferizaj nuk i bindet Donika Gërvallës-Garon si subjekt i veçantë në zgjedhjet lokale

07/07/2021 09:58
nga:Q R

Udhëheqësja e Listës “Guxo” Donika Gërvalla, ka njoftuar dje se në zgjedhjet lokale do të garojnë bashkë me Vetëvendosjen, por këto deklarata po i hedh poshtë dega e Listës Guxo në Ferizaj, të cilët sot kanë thënë se do të garojnë si subjekt i veçantë në zgjedhjet lokale dhe jo me Vetëvendosjen, shkruan GazetaBlic.

Sipas një komunikate për media të dërguar sot në mëngjes, Lista ‘Guxo’ në Ferizaj thotë së shpejti do ta publikojën listën me 45 kandidatë për të garuar për asamble komunale.

Tutje, në komunikatë thuhet se “Në asnjë moment ne nuk jemi zotuar para elekroratit se do të shkrihemi brenda Lëvizjes Vetëvendosje apo cilit do subjekt politik, përkundrazi i kemi premtuar elektoratit se do të formojmë subjektin tonë politik dhe do ta vazhdojmë aktivitetin tonë politik si subjekt në vete”

Komunikata e plotë:

Lista Guxo në Ferizaj me qëllim të informimit të drejtë , të saktë dhe sqarimit të opinionit publik, e rikonfirmojmë se me datën: 3 Qershor 2021 është marrë vendim që të garojmë si subjekt i veçantë në zgjedhjet lokale për Asamblenë Komunale.

Procedurat e regjistrimit si iniciativë janë tashmë në proces sikurse edhe përgatitjet teknike.

Ne do të garojmë me 45 kandidatë për Asamblenë Komunale dhe kandidatin për Kryetar të Komunës e kemi lënë të hapur si mundësi.

Ky vendim ka ardhur pas kërkesave të parreshtura të votuesëve dhe aktivistëve tonë, të cilët na kanë mbështeur në zgjedhjet nacionale.
Të dashur votues, ne e dërguam në vend premtimin ndaj juve dhe si rezultat i pakënaqësive që kishim me lidershipin e vjetër të LDK-së, u përcaktuam që ta përkrahim znj. Vjosa Osmani dhe kandidatët tjerë për deputetë si alternativë, kemi konsideruar se kemi vepruar mirë e drejtë dhe nuk jemi penduar, sepse kemi dashur ta bëjmë ndryshimin dhe ta ndjekim rrugën rugoviane për shtetndërtim.

Por, në asnjë moment ne nuk jemi zotuar para elekroratit se do të shkrihemi brenda Lëvizjes Vetëvendosje apo cilit do subjekt politik, përkundrazi i kemi premtuar elektoratit se do të formojmë subjektin tonë politik dhe do ta vazhdojmë aktivitetin tonë politik si subjekt në vete.

Prandaj, vendimi ynë është përmbushje e premtimit tonë ndaj elektoratit për ta vazhduar frymën rugoviane dhe angazhimi ynë do të jetë gjithmonë në përkrahje të personaliteve politike, të cilët ja duan dhe punojnë për të mirën e shtetit.

Ne shumë shpejtë do ta publikojmë listën me 45 kandidatë.

Ne jemi të hapur të bashkpunojmë me Lëvizjen Vetëvendosje dhe çdo subjekt tjetër e personalitet politik, që punon për të mirën e shtetit të Kosovës dhe për qytetarët e komunën sonë , por asnjëherë nuk do të punojmë për interesa të ngushta personale dhe nuk do të devijojmë nga rruga e Presidentit Historik Dr.Ibrahim Rugova.

Balton Derguti-Kordinator
Lista Guxo Ferizaj
07.07.2021

Lista “Guxo” merr vendimin: Do të garoj bashkë me VV-në në zgjedhjet lokale