Sot gjatë orëve të pasditës, selia qëndrore e PDK-së, më saktësisht kreu i partisë mbylli të gjitha zërat për në degën e Drenasit. Memli Krasniqi dha verdiktin final, për kandidatin për kryetar të Drenasit, ndonëse zërat kundërshtues vazhdojnë edhe më tutje.
Menjëherë pasi Memli Krasniqi e konfirmoi Ramiz Lladrovcin si kandidat për kryetar të Drenasit, komunë të cilin aktualisht edhe e udhëheqë, në skenë doli njeriu që mori besimin e degës së kësaj partie në këtë komunë, Dritan Ajazi.
Ajazi, në një prononcim për GazetaBlic ka thënë se kësaj pune do t’i shkojnë deri në fund. Tutje, ai shtoi se vendimi i Memli Krasniqit, nuk ishte i mirë.
“Emërimi i kandidaturës së Ramiz Lladovcit, është një veprim jo i mirë nga kryetari i partisë. Me këtë vendim, kryetari i partisë vendosi që të dalë kundër veprimeve të strukturave. Ai nuk e mori parasysh vullnetin e strukturave, të cilat më mbështetën mua në garën për kryetar të Drenasit”, ka theksuar Ajazi për Gazeta Blic.
Madje, Ajazi ka paralajmëruar se nuk do të heqin dorë nga kandidimi, duke thënë se do të garojnë me një listë tjetër, e që quhet: “Dekada e Re për Drenasin”. Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ai ka dhënë detaje shtesë lidhur me garën e 17 Tetorit.
Ndërkaq, i kontaktuar nga GazetaBlic, kreu aktual, Ramiz Lladrovci, që në fakt mori edhe besimin për të kandiduar sërish ka thënë se ashtu si çdoherë ai është për unitet në Drenicë e në veçanti në Drenas, sepse sipas tij janë të lidhur ngushtë me lirinë. Ai ka theksuar se është i gatshëm të bashkëpunojë me secilin që e do sundimin e ligjit dhe interesin qytetar.
“Jo sot, por edhe në zgjedhjet e kaluara dhe në çdo situatë, unë jam për unitet në Drenicë dhe në veçanti në Drenas, sepse, jemi të lidhur ngushtë me lirinë, çlirimin dhe vujatjet e përbashkëta. Liria nuk i pëlqen ndarjet. Andaj, edhe mos kandidimi im në struktura të PDK-së para shumë vitesh dhe në proceset zgjedhore, kishin motiv avancimin e frymës së re, bile më pengonte edhe prezenca në shumë funksione të individëve të njëjtë. Kam qenë, jam dhe do të mbetem përkrahës i unitetit e bashkëpunimit. Dora ime është e zgjatur për secilin që e do sundimin e ligjit dhe interesin qytetar”, tha fillimisht Lladrovci.
Kurse, sa i përket garës me ata që dikur i kishte bashkëpunëtorë, Lladrovci shtoi se qytetarët dhe vullneti i tyre nuk ndahet në parti.
“Qytetarët dhe vullneti qytetar nuk ndahet në parti, as vullneti i tyre është përjashtues për punët e mira. Puna gjatë këtij mandati ka riafirmuar qeverisjen e PDK-së, shembull për Kosovën, kështu do ta vazhdojmë, shembull për qeverisjen, edhe një mandat.
Ne jemi këtu për të rrumbullakosur interesin qytetar dhe ngrisim cilësinë e jetës së qytetarëve. Sepse, qytetarët e komunës së Drenasit e meritojnë, ata e kanë parë dhe janë të bindur me vepra për rrugën e mirëqenies së tyre”, vazhdoi i pari i qytetit industrial.
Në fund fare, në pyetjen se a do të ishte një fitore e zbehtë pa ndihmën e bashkëpunëtorëve kryesore, Lladrovci tha se ata janë me PDK-në, çka nënkupton apriori se janë edhe me të.
“Bashkëpunëtorët e mi janë me PDK dhe, normalisht me mua, pa interesa parciale apo klanore, me PDK janë qytetarët dhe drejtuesit lokal dhe me autoritet te qytetarët, ashtu siç isha unë bashkëpunëtor i liderëve që nuk i kemi padrejtësisht këtu. Fitorja ime nuk është e kontestueshme as nga kundërshtarët e mi politik. Edhe kundërshtarët formal e thonë, qeverisja ishte shembullore por, është demokraci. Provat për pushtet janë e drejtë demokratike, por, dihet edhe puna, edhe pesha, edhe e kaluara edhe e tashmja e secilit që pretendon ta udhëheq Drenasin”, përfundoi ai.
/GazetaBlic/