Lajme

Dedaj: Populizimi i Kurtit dhe dëmtimi i partneritetit Kosovë-SHBA, fitore e madhe për Serbinë!

09/19/2024 17:43
nga:Y I

Shtetet e Bashkuara dhe Serbia kanë nënshkruar të mërkurën një marrëveshje për bashkëpunim strategjik në fushën e energjisë në Serbi.

Departamenti amerikan i Shtetit tha në një njoftim se ‘kjo marrëveshje do t’i zgjerojë mundësitë për kompanitë amerikane për të investuar në sektorin e energjisë në Serbi, përfshirë promovimin e investimeve amerikane që do ta forcojnë partneritetit strategjik SHBA-Serbi’.

Kjo është marrëveshja e dytë e rëndësishme e nënshkruar kohët e fundit pas asaj me Gjermaninë për litumin.

Por ndërsa Serbia vazhdon këto bashkëpunime Kosova vazhdon të jetë nën sanksione ndërkombëtare.

Ish-diplomati, Gjergj Dedaj, në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic” tha se Serbia është duke përdorur ‘plasaritjet’ e partneritetit ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve.

Dedaj tha se qeveria aktuale është duke e humbur dhe zbehur besimin me aleatët dhe partnerët euro-atlantik.

“Serbia i gëzohet dhe me shumë menquri është duke përdorur plasaritjet e partneritetit ndërmjet SHBA dhe Kosovës, të cilat i ka shkaktuar pushteti aktual i Kosovës në këto katër vitet e fundit të keqeqeverisjes.SHBA si një supërfuqi botërore dhe prodhues të paqës, lirisë dhe të demokracisë kudo në planet, janë të hapura për bashkëpunim dhe koordinim me të gjitha vendet e botës demokratike.Qeveria aktuale e Kosovës në këtë drejtim është duke e humbur dhe zbehur besimin me aleatët dhe partnerët euro-atlantik, në veqanti me mbështetësit dhe sponzorisuesit kryesor të lirisë, paqës, demokracisë dhe të pavarësisë së Kosovës, siq janë SHBA, BE dhe NATO” deklaroi Dedaj.

Ai tutje potencoi se populizimi i kryeministrit Kurti dhe dëmtimi i partneritetit të Kosovës me SHBA është një fitore e madhe për Serbinë .

“Prezenca dhe përkushtimi i SHBA, BE dhe NATO-s, për stabilitetin, paqen, sigurinë dhe progresin në Ballkanin Perëndimor, padyshim se përfshin edhe bashkëpunimin dhe invetimet në Serbi, kjo nuk do duhej të ishte problem për Kosoven, sepse problemi më i madh i Kosovës do duhej të ishte politika përçarëse dhe dëmtuese e pushtetit kosovar në raport me SHBA, BE dhe NATO-n. Populizmi i Albin Kurtit dhe dëmtimi i partneritetit të Kosovës me SHBA kryesisht është një fitore e madhe për Serbinë dhe faji në këtë rrafsh është në Prishtinë” tha Dedaj në përgjigjen e dhënë për “Gazeta Blic”

Marrëveshja ndërmjet SHBA-ve dhe Serbisë u nënshkrua të mërkurën nga nënsekretari i Shteteve të Bashkuara për Rritje Ekonomike, Energji dhe Mjedisi, Jose Fernandez, dhe ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriq.

/Gazeta Blic/

SHBA dhe Serbia me marrëveshje për bashkëpunim në fushën e energjisë