Ilir Deda, analist politik, ka folur për mundësinë e zgjedhjes së presidentit të Kosovës, duke thënë se pret që kjo çështje të zgjidhet në pranverë.
Deda tha se interesi i Kosovës duhet të jetë mbi kalkulimet politike të partive, duke theksuar se vendi ka nevojë për një president që do të ishte pikë bashkuese për qytetarët dhe subjektet politike.
“Unë kam menduar që edhe në pranverë do të zgjidhet presidenti, se ma ka marrë mendja se interesi i Kosovës është më i rëndësishëm se obsesioni për 60 përqind. Do ta shohim a do VV-ja me zgjedh president”, u shpreh Deda.
Sipas tij, çështja nuk lidhet vetëm me kriteret e propozuara nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, por me atë nëse VV-ja është e gatshme të pranojë një president politik, por jo partiak.
“Edhe këtu nuk ka të bëjë fare me kriteret e Albinit të cilat i propozon, por ka të bëjë me a mundet VV-ja me pranu një president që është politik, jo partiak”, tha Deda.
Ai theksoi se presidenti i ardhshëm duhet të ketë aftësi të mira komunikuese me partnerët ndërkombëtarë, të jetë figurë bashkuese dhe të ketë rol aktiv në raport me komunitetet joshumicë.
“Një president që flet normalisht anglisht, që mund të komunikojë me partnerët ndërkombëtarë, që mundet me qetësi me i mbledhë, me qenë pikë përbashkuese në Kosovë e partive politike dhe i cili mundet me ia shtri dorën komuniteteve joshumicë, serbëve të Kosovës në radhë të parë”, deklaroi ai.
Deda tha se presidenti duhet të ketë rol në mbrojtjen e Kushtetutës dhe të përfaqësojë një qasje që, sipas tij, i nevojitet Kosovës.
“Me mbrojt Kushtetutën, dmth ka me provu patriotizëm kushtetues. Kjo është çka i duhet Kosovës”, u shpreh ai.
Në fund, Deda tha se zgjedhja e presidentit varet nga gatishmëria e VV-së për të mbështetur një figurë të tillë.
“Kjo varet nga VV-ja. Nëse dojnë president të dobët, s’kanë me zgjedh president të dobët”, përfundoi Deda në Kanal10.


