Njohësi i çështjeve politike, Ilir Deda, ka komentuar çështjen e presidentit, duke thënë se kushdo që e ushtron këtë funksion, duhet ta bëjë duke e ‘’kuptuar saktë përgjegjësinë dhe detyrat e presidencës’’. Ai ka shtuar edhe se, në Kosovë është krijuar një kulturë sipërfaqësore e ushtrimit të përgjegjësive të larta të shtetit.
Deda ka vlerësuar edhe se, pozita e presidentit ka rol në ndërtimin e kohezionit politik.
Ai ka përmendur disa pika sipas të cilave, ka thënë Deda, do të duhej të funksiononte presidenca e ardhshme.
Një nga pikat që ka përmendur Deda, është se presidenti ka rol unifikues e që në ushtrim të këtij roli shndërrohet në vendtakim të aktorëve politik e shoqëror, duke shtuar në pikën e radhës, se në ushtrimin e unitetit, presidenti domosdoshëm duhet të tregoj sensitivet të lartë dhe mirëkuptim maksimal për komunitetet joshumicë, dhe ndihmon në zgjidhje të problemeve të caktuara parësore për komunitetet joshumicë.
Ai ka thënë edhe se si pikë tjetër është presidenca është njëjtë edhe adresë qendrore për ruajtjen e rendit demokratik dhe kulturës demokratike, dhe se, si pikë e pestë ‘’Patriotizmi Kushtetues është kyq’’.
Postimi:
Kosova ka nevojë që kushdo që të zgjidhet si president t’a ushtroj këtë funksion duke e kuptuar saktë përgjegjësinë dhe detyrat e presidencës.
Te ne është krijuar një kulturë sipërfaqësore dhe formale e ushtrimit të përgjegjësive të larta shtetërore, duke i munguar substanca e ushtrimit të përgjegjësive.
Përpos balancit institucional e politik dhe garantimit kushtetues të ndarjes të pushteteve, ushtrimi i kësaj detyre ka rol të jashtëzakonshëm në ndërtimin e kohezionit politik dhe fillimin e ndërtimit të vonuar të traditës shtetërore.
Më poshtë janë disa pika kyqe se si do të duhej të funksiononte presidenca e ardhshme e Kosovës.
1. Në politikë të jashtme presidenti ka rol kushtetues në udhehqeje të politikës së jashtme. Kjo nuk do të thotë që këtë punë e bën vetë, por e ushtron duke ndërtuar konsensus me qeverinë, partitë në opozitë dhe me akterë tjerë shoqëror. Në këtë mënyrë Kosova bëhet shtet bashkëkohor e shumë më normal se sa është tash. Politika e jashtme është e përbashkët dhe në mënyrë të përbashkët ndërtohet edhe në vende bashkëkohore. Sidomos në rastin e Kosovës presidenti duhet ta njoh shumë mirë politikën e jashtme dhe të ketë durim në bashkëbisedim me të gjitha partitë politike.
Për shembull në çdo udhëtim jashtë- sidomos në udhëtime ku merr zotime për bashkëpunim në fusha të ndryshme me shtetet e tjera – gjithmonë duhet të ketë në delegacion përfaqësues të qeverisë, sepse qeveria është përgjegjëse për jetësimin e atyre zotimeve.
2. Presidenti ka rol unifikues e që në ushtrim të këtij roli shndërrohet në vendtakim të aktorëve politik e shoqëror, dhe sidomos shërben si urë për ndërtim të besimit të brendshëm politik e shoqëror, dhe sidomos ka rol direkt edhe në tejkalimin e polarizimit të brendshëm, kurdo që shfaqet. Nuk sillet thua se nuk jeton në Kosovë dhe se kjo i “përket partive politike”.
3. Në ushtrimin e unitetit, presidenti domosdoshëm duhet të tregoj sensitivet të lartë dhe mirëkuptim maksimal për komunitetet joshumicë, dhe ndihmon në zgjidhje të problemeve të caktuara parësore për komunitetet joshumicë duke u bërë adresë e rëndësishme për ndërtim të mirëkuptimit të përgjithshëm të brendshëm, për aq sa ështëe mundshme. Presidenti gjithmonë ngret zërin kundër çfarëdo shkeljeje të drejtave të njeriut në Kosovë, nuk e bën këtë në mënyrë selektive apo duke injoruar këtë.
4. Presidenca është njejtë edhe adresë qendrore për ruajtjen e rendit demokratik dhe kulturës demokratike, duke përfshirë direkt pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe gjykatës kushtetuese.
5. Patriotizmi Kushtetues është kyq.
I mbetet partive politike që të fillojnë një proces te diskutimeve që do të ketë si rezultat zgjedhjen e presidentit/presidentes mundësisht me 80 vota PËR.
E më së miri do të ishte që pastaj të ketë ndryshime kushtetuese që herën e ardhshme qytetarët t’a zgjedhin direkt të parin/parën e shtetit.


