Lajme

Deçani në gjendje të jashtëzakonshme, ish-kryeministri grek tregon që Kurti me familje gjenden në resortin superluksoz në Greqi

07/13/2021 21:54
nga:M K

Përderisa në komunën e Deçanit është shpallur situatë emergjente për shkak të helmimit, ku mbi një mijë e 500 qytetarë janë hospitalizuar dhe dy të tjerë kanë gjetur vdekjen, kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka gjetur kohë për akomodim në një hotel luksoz në Greqi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është në një vizitë disa ditore në shtetin helen, teksa dy ditë më parë qëndroi në resortin super luksoz “Grand Resort Lagonissi”, i cili është i pozicionuar përgjatë rivierës së Athinës.

Qëndrimin e Kurtit në hotelin luksoz “Grand Resort Lagonissi” e ka zbuluar ish kryeministri i Greqisë, George Papandreou, në një shkrim në llogarinë zyrtare në Facebook, ku shprehu mirëpritje për Kurtin dhe familjen e tij.

“Kështu, unë e mirëpres Albin Kurtin, atë dhe familjen e tij përsëri këtë vit, të cilin dua ta përgëzoj për zgjedhjen si kryeministër i Kosovës, që nga takimi ynë i fundit në Symi” – shkroi George Papandreou në Facebook, teksa falenderoi hotelin “Grand Resort Lagonissi” për akomodimin e të ftuarëve, shkruan Insajderi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me George Papanderu në hotelin “Grand Resort Lagonissi”

Grand Resort Lagonissi, është një resort turistik me katër yje i cili është i pozicionuar përgjatë rivierës së Athinës, rreth 22 kilometra larg Aeroportit Ndërkombëtar të kryeqytetit grek, ku çmimi për një natë arrin shifrën 543 dollarë, sipas faqes zyrtare të hotelit.

Avio-kompania britanike, British Airways, hotelin ku ka qëndruar kryeministri Kurti, e ka cilësuar si një nga resortet më luksoze të Athinës. Në vlerësimet e uebsajteve të profilizuara rreth resorteve turistike, Grand Resort Lagonissi përshkruhet si një hotel i cili ofron ‘pamje të shkëlqyeshme nga deti, pishina private dhe plazhe’.

Albin Kurti ishte pjesë e edicionit të 23-të të Simpoziumit të Symit të organizuar nga ish kryeministri i Greqisë, George Papanderou.

Simpoziumi Symi është një mbledhje që mbahet një herë në vit, me mendimtarë globalë që ndjekin traditën e filozofëve antikë grekë. Symi mbledh së bashku individë me mendime të ndryshme, prejardhje të ndryshme, intelektualë, politikanë, laureatë të Nobelit, sipërmarrës, diplomatë, shkencëtarë dhe aktivistëve për të diskutuar disa nga çështjet më të ngutshme të kohës sonë. Ajo u mbajt për herë të parë në 1998, në ishullin Symi, i cili që atëherë i ka dhënë emrin Simpoziumit.