Lajme

“Deçani e dëshmoi se di të qëndrojë krah ideve të mëdha dhe vizionit për Kosovën”, Haradinaj pas tubimit madhështor në Deçan

12/22/2025 21:02
nga:Genita C

Pas tubimit elektoral të mbajtur në Deçan, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, vlerësoi lart pritjen dhe mbështetjen e qytetarëve të kësaj komune, duke theksuar se Deçani ka qenë dhe mbetet krah Aleancës dhe vizionit të saj për Kosovën.

Në një takim të ngrohtë dhe domethënës me qytetarët, Haradinaj tha se bashkëbisedimi i hapur për sfidat dhe mundësitë që e presin vendin është dëshmi e pjekurisë politike dhe përkushtimit qytetar të Deçanit. Ai bëri të ditur se në këtë tubim u prezantua plani katërvjeçar i Aleancës, vizioni për zhvillim të qëndrueshëm dhe kandidatët për deputetë.

Haradinaj theksoi se Deçani, si qendër e afirmuar turistiko-rekreative me pasuri të rralla natyrore të Rrafshit të Dukagjinit, ka potencial të jashtëzakonshëm zhvillimi. Sipas tij, mbështetja për turizmin, ekonominë lokale dhe mirëqenien e qytetarëve duhet të jetë prioritet i qartë institucional.

“Aleanca i qëndron krah Deçanit për zhvillim, për ekonomi të fortë lokale dhe për një jetë më të mirë për qytetarët”, u shpreh Haradinaj, duke ritheksuar angazhimin e Aleancës për ta kthyer këtë potencial në zhvillim konkret për komunën dhe për Kosovën.